Në mungesë të kuorumit, as të mërkurën nuk u mbajt seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjilanit, në të cilën është synuar të miratohet buxheti për këtë vit. Kryetari Alban Hyseni paralajmëroi se 2,719 punëtorë mund të mbesin pa paga nëse nuk miratohet buxheti, ndërsa opozita ka akuzuar pushtetin lokal për mosplotësimin e kërkesave të saj
Komuna e Gjilanit është e vetmja në Kosovë që për shkak të mospajtimit pushtet-opozitë, nuk ka mundur ta miratojë buxhetin për vitin 2025.
Edhe përpjekja e pushtetit për ta kaluar buxhetin këtë të mërkurë, ka dështuar në mungesë të kuorumit.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka paralajmëruar se 2,719 punëtorë mund të mbesin pa paga.
Në një konferencë për medie pas dështimit të seancës, ai theksoi se shkak për këtë është opozita.
Hyseni deklaroi se pa miratimin e buxhetit nga Kuvendi Komunal, nuk mund të ekzekutohen as pagat dhe as investimet kapitale.
“Janë 2700 familje që jetojnë nga pagat që i marrin nga sektori publik, duke mos e përfshirë këtu dëmin që i shkakton komunës tonë nga pamundësia e fillimit ose inicimit të procedurave të prokurimit për investimet kapitale. Pra, nuk po flasim për pamundësinë e ekzekutimit të punimeve. Po flasim për një periudhë në të cilën pa buxhet komunal, Komuna e Gjilanit nuk do të mund as të fillojë procedurat e prokurimit sepse duhet zotimi i mjeteve fillimisht”, ka thënë kryetari Hyseni.
Në partinë më të madhe opozitare në Gjilan, LDK, thanë se arsyeja e mosvotimit të buxhetit nga ana e asamblistëve të kësaj partie, është mosplotësimi i kërkesave nga ana e pushteti lokal.
“Çka është shumë negative edhe fatkeqësi e madhe për Komunën e Gjilanit është fakti që kryetari i komunës nuk e ka lejuar kuvendin të marrë pjesë në planifikim të buxhetit edhe pse neve këtë gjë na e garanton ligji. Pra në njërën anë, nuk na ka lejuar të japim kontribut në planifikim të buxhetit për këtë vit, në anën tjetër nuk i ka përfillur kërkesat e tona”, ka thënë Gentrit Morina, asamblist nga radhët e LDK-së.
Përveç miratimin e buxhetit për vitin 2025, kjo seancë kishte edhe një pikë tjetër në rend dite, atë për ndërrimin e destinimit të shfrytëzimit dhe dhënien në shfrytëzim të fshatit social të Kuvajtit “EuroSky”.
Megjithatë, me vetëm nëntë asamblistë të pranishëm, nuk kishte kuorum të mjaftueshëm për nisjen e saj.
Lëvizja Vetëvendosje që udhëheq me Gjilanin humbi shumicën e numrave në Kuvendin Komunal pas prishjes së koalicionit me PDK-në.
LDK-ja në këtë komunë është partia e parë me numrin e asamblistëve në Kuvendin Komunal me 15 sosh, LVV-ja e dyta me 10 dhe PDK-ja ka 5 asamblistë.