Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Ekonomi

Hoti: Qeveria po shkel ligjin, nuk e miratoi projektbuxhetin për vitin 2027 brenda afatit

Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për mosmiratimin e projektbuxhetit për vitin 2027 brenda afatit të përcaktuar me ligj.

Përmes një statusi në Facebook, Hoti ka thënë se neni 22 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike e obligon Qeverinë që projektbuxhetin për vitin e ardhshëm t’ia dorëzojë Kuvendit të Kosovës jo më vonë se më 31 tetor.

“Sot është 1 nëntor. Projektbuxheti në Qeveri nuk është miratuar ende. Me këtë, Qeveria po shkel afatin e përcaktuar me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike”, ka shkruar Hoti.

Ai ka ngritur pikëpyetje se si Kuvendi do ta shqyrtojë në procedurat parlamentare një projektbuxhet që dorëzohet pas afatit ligjor.

“Është e paqartë se si Kuvendi do të shqyrtojë në procedura kuvendore një projektbuxhet që i dorëzohet Kuvendit pas afatit ligjor”, ka theksuar ai.

Hoti ka thënë se një situatë e tillë nuk ka ndodhur më parë, madje as në periudhat zgjedhore, kur Qeveria ka qenë në detyrë.

“Kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Edhe në kohë zgjedhjesh, me Qeveri në detyrë, projektbuxheti është miratuar dhe dorëzuar në Kuvend në përputhje me afatet dhe kërkesat ligjore”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.

Edhe Miratohet në parim buxheti për 2026-n, opozita e cilëson dokument të “status quosë” LAJMET E MBRËMJES Miratohet në parim buxheti për 2026-n, opozita e cilëson dokument të “status quosë”

Në reagimin e tij, Hoti ka kritikuar edhe më gjerësisht qeverisjen e Vetëvendosjes dhe partnerëve të saj, duke pretenduar se shkeljet ligjore dhe kushtetuese janë bërë praktikë.

“Fatkeqësisht, shkeljet ligjore e kushtetuese janë bërë praktikë në këto vite të qeverisjes së VV-së dhe partnerëve të saj”, ka shkruar ai.

31 tetori është afati i fundit i përcaktuar nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike kur Qeveria duhet ta miratojë projektbuxhetin.