Vendimi i administratës amerikane për të vendosur tarifa prej 10% ndaj produkteve të importuara nga Kosova, pritet të ketë ndikim negativ, sipas njohësve të ekonomisë. Mes produkteve kryesore që do të preken janë fustanet, të cilat kapin vlerën më të lartë të eksporteve kosovare në tregun amerikan. Ekspertët vlerësojnë se kjo masë mund të ndikojë në uljen e shkëmbimeve tregtare, ndërsa propozojnë alternativa për ta zbutur ndikimin e saj
Nga eksportet e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, vendin e parë e zënë fustanet dhe kapin vlerën e 11.4 milionë eurove.
Ky prodhim por edhe të tjerë me origjinë nga Kosova do të tarifohen me 10%, pas vendimit që mori të mërkurën presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Paketa e masave tregtare që vendosi Trump përfshin të gjitha shtetet dhe administrata amerikane e ka quajtur këtë, masë reciprociteti.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se kjo masë mund të ndikojë në dekurajimin e prodhuesve kosovarë për të arritur tregun amerikan. Ka propozuar që Kosova të largojë tarifën për mallrat e SHBA-së.
“Të aplikojë atë që njihet si aranzhim i njëanshëm preferencial tregtar, do të thotë që Kosova në mënyrë të njëanshme të vendosë t’i sjellë tarifat për produktet amerikanë në normë zero, që rrjedhimisht mund të çojë pastaj në rishikimin e vendimit të djeshëm, sidomos në rastin e Kosovës”, ka thënë Zeka.
Edhe presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bashkimit Evropian, presidenti Trump i ka vënë tarifë 20%. Shqipëria e Mali i Zi janë ngarkuar me tarifa prej 10 për qind, ndërkohë shumë më të larta janë vendosur për Serbinë - 37%, Maqedoninë e Veriut - 33% dhe Bosnjë-Hercegovinën - 35%.
Sipas udhëheqësit të Odës Amerikane, Kosova mund ta shfrytëzojë këtë situatë për të tërhequr investime nga kompanitë evropiane dhe ato prej vendeve të prekura nga tarifat e larta, duke u ofruar qasje më të lehtë në tregun amerikan.
E profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skënderi, u shpreh se këto masa mund të ndikojnë në inflacion.
“Këto pashmangshëm do të ndikojnë edhe në rritjen e të gjitha produkteve esenciale edhe për konsumatorin e kjo pashmangshëm do e ngrisë edhe inflacionin tek ne, do të ndikoj natyrshëm tek ne, prandaj apeloj tek institucionet që në raport me SHBA-në ta ruajnë atë preferencën e vet të produkteve që deri tani i kemi pasur dhe këto tarifa që Kosova i ka vendosur ndaj SHBA-së, së paku, nëse jo përgjithmonë, të hiqen për një periudhë të caktuar kohore”, ka thënë Skënderi.
Vitin e shkuar, Kosova eksportoi mallra në vlerë 39 milionë euro drejt Shteteve të Bashkuara. E importet nga SHBA-ja arritën pikën më të lartë deri tash - 106.5 milionë euro.