Washington, 16 prill – Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka prezantuar si lajme të mira për ekonominë botërore gjetjet e raportit tradicional vjetor “World Economic Outook”, të prezantuara të martën në Washington.
Rimëkëmbja pas pandemisë, sipas FMN-së, është e qëndrueshme – ka rritje ekonomike, ka rënie të inflacionit dhe stabilitet kreditues – por ka edhe dallime mes shteteve sa i përket ritmit.
Përderisa masat që shtetet i kanë ndërmarrë për t’i luftuar pasojat ekonomike gjatë pandemisë kanë qenë pak a shumë uniforme, pra ka pasur qasje konvergjente, trendi dhe suksesi në rimëkëmbje varen nga strategjia dhe fuqia e shteteve individuale. Se ka divergjenca e dëshmon fakti që, sipas raportit, rimëkëmbja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka arritur në nivele përtej pritshmërive, ndërkohë që vendet e eurozonës kanë mbetur prapa. Po ashtu, edhe brenda vetë zonës ka dallime, ndërkohë që më shqetësues mbetet dallimi krahasuar me shumë nga vendet me të ardhura të ulëta.
Në prag të Takimeve Pranverore që këtë javë do t’i mbledhin përfaqësuesit e 190 shteteve anëtare të FMN-së në Washington, në selinë e kësaj organizate ndërkombëtare po mbahen prezantime të raporteve vjetore për stabilitetin financiar, agjendën e politikave globale, si dhe diskutime për rajone të veçanta.
Është pikërisht raporti për perspektivën ekonomike botërore “World Economic Outlook”, me të cilin u hapën prezantimet, parashikimet e të cilit i bënë të ditura këshilltari ekonomik dhe drejtor i Departamentit Hulumtues në FMN, Pierre-Olivier Gourinchas, zëvendësdrejtoresha e Departamentit për Hulumtime, Petya Koeva-Brooks, dhe Daniel Leigh, që është shef i divizionit në Departamentin Hulumtues.
Në raport thuhet se rimëkëmbja globale është e qëndrueshme, por e ngadaltë dhe ndryshon sipas rajoneve.
Edhe rrugëtimi pas pandemisë, sipas raportit, ka pasur sfida të shumta, nisur nga pengesat në zinxhirin furnizues, lufta e nisur nga Rusia në Ukrainë që nxiti kriza në furnizim me energji dhe ushqim, si dhe shpërthim të konsiderueshëm të inflacionit përcjellë nga shtrëngimet e sinkronizuara globale të politikave monetare.
“Por, me gjithë parashikimet e errëta, bota shmangu recesionin, sistemi bankar dëshmoi qëndrueshmëri dhe ekonomitë e mëdha të tregut nuk u ndalën”, ka thënë Gourinchas.
Sipas raportit, vit pas viti, rritja globale më 2022 pati rënë në 2.3 për qind, ndërkohë që inflacioni kishte arritur në 9.4 për qind, por që projeksionet e fundit të FMN-së flasin për trend tjetër.
“Sipas projeksioneve tona të fundit ekonomia botërore do të vazhdojë të rritet qëndrueshëm me 3.2 për qind gjatë vitit 2024 dhe 2025”, thuhet ne raport, kur parashihet që inflacioni nga 2.8 për qind më 2024 do të bjerë në 2.4 për qind më 2025. Do të ketë një përshpejtim të lehtë te ekonomitë e avancuara – ku rritja pritet të jetë nga 1.6 për qind në vitin 2023 në 1.7 për qind në vitin 2024 dhe 1.8 për qind në vitin 2025.
Inflacioni global parashikohet të bjerë nga 6.8 për qind në vitin 2023 në 5.9 për qind në vitin 2024 dhe 4.5 për qind në vitin 2025, ku ekonomitë e zhvilluara do të kthehen te objektivat e tyre të inflacionit më shpejt sesa ekonomitë në zhvillim. Në përgjithësi, inflacioni bazë parashikohet të bjerë më gradualisht.
Në raport thuhet se ekonomia globale ka qenë çuditërisht elastike, pavarësisht rritjeve të rëndësishme të normave të interesit të Bankës Qendrore për të rivendosur stabilitetin e çmimeve.
Pamja globale mund të tregojë divergjencë të madhe nëpër vende, me ekonominë amerikane që është rritur dhe ka kaluar tendencën e saj parapandemike.
“Performanca e SHBA-së është sigurisht mbresëlënëse dhe një nxitës i madh i rritjes globale, por reflekton edhe faktorë të fuqishëm kërkues po ashtu, si një qëndrim fiskal që është jashtë përputhjes me qëndrueshmëri fiskale afatgjatë”, thuhet në raport.
Në eurozonë, sipas raportit, do të ketë rritje ekonomike këtë vit, por në nivele shumë të ulëta, si pasojë e efekteve zvarritëse nga politikat monetare dhe kostot e kaluara të energjisë, si dhe konsolidimet e planifikuara fiskale.
Ndërsa ekonomia e Kinës, sipas raportit, është prekur nga rënia e qëndrueshme në sektorin e patundshmërive. Është thënë se kërkesa e brendshme mbetet e dobët përderisa nuk adresohet shkaku rrënjësor. Dinamika e borxhit publik, sipas raportit, është shqetësuese.
Një zhvillim shqetësues, sipas raportit, është divergjenca në rritje ndërmjet vendeve me të ardhura të ulëta dhe pjesës tjetër të botës.
Më keq, në kontrast me shumicën e rajoneve të tjera, vlerësimet për vendet në zhvillim me të ardhura të ulëta janë rishikuar, duke sugjeruar se vendet më të varfra ende nuk janë në gjendje ta kthejnë atë faqe nga kriza e pandemisë në krizën e kostos së jetesës.
Për t’u përballur me sfidat, sipas FMN-së, ka pak shpresa për përparim jashtë kornizave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në Takimet Pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që do të zhvillohen të enjten dhe të premten, do të marrin pjesë edhe ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, si dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.
Në një njoftim për media të publikuar të martën, Ministria e Financave ka bërë të ditur që në kuadër të këtyre takimeve do të jetë edhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Financimin e Politikave Zhvillimore për Politikën Fiskale, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore, që i sjell Kosovës mbi 90 milionë euro me kushte të buta financimi. Vitin e kaluar gjatë Takimeve Pranverore Kosova u pati bërë pjesë e instrumentit të FMN-së të quajtur “Resilience and Sustainability Fund”, duke ia vënë në dispozicion 80 milionë euro për investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme.