Ekonomi

Ekonomia e varur nga diaspora

Afro 580 milionë euro janë investuar gjatë vitit të kaluar për blerjen e shtëpive dhe banesave, kryesisht nga mërgimtarët. E këtë kryeministri Albin Kurti e ka prezantuar si rritje rekorde të investimeve të huaja. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë për rënie të investimeve gjatë 2024 në fushën e energjisë dhe prodhimtarisë që konsiderohen sektorë me potencial për tërheqjen e investitorëve

Mbi 800 milionë euro figurojnë si investime të huaja gjatë vitit të shkuar. Por, afro 580 milionë euro kanë shkuar në blerjen e shtëpive dhe banesave, kryesisht nga mërgimtarët.

Investimi në këtë sektor ka shënuar rritje nga viti 2021. Edhe atëherë, pjesa më e madhe ishin investime në banesa dhe, bazuar në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave, mbi 182 mijë banesa janë të pabanuara.

Shifrat e investimeve të huaja kanë ndikuar në rritjen ekonomike, por jo edhe në krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e prodhimit.

Kryeministri Albin Kurti është lavdëruar për investimet, por të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë për rënie të tyre gjatë 2024-s në fushën e energjisë dhe prodhimtarisë, që konsiderohen sektorë me potencial për tërheqjen e investitorëve.

E, sipas kryetarit të Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, mungesa e investitorëve seriozë është për shkak të pasigurisë së krijuar nga tensionet në veri.

“E kam frikën që nuk kemi arritur që të menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme për të mos përçuar mesazh që Kosova është një vend i krizave. Moskujdesi i udhëheqësve tanë që ne do të sulmohemi nga Serbia, ushtria serbe është afruar në kufi dhe të gjitha këto kanë ndikuar që të ketë hezitim për të ardhur për të investuar në Kosovë”, ka thënë Rafuna.

Një pengesë tjetër për investitorët e huaj, sipas tij, është edhe pasiguria që kanë rreth mundësisë për të eksportuar produktet jashtë vendit.

“Çdo investitor që vjen nuk vjen për të investuar vetëm për Kosovën. Ai tregun e Ballkanit e sheh si një treg të vetëm, 17 milionë banorë, 17 milionë konsumatorë dhe ne për këtë arsye duhet ta dëshmojmë që mund të prodhojmë në Kosovë, Kosova ka një ambient shumë të mirë për të prodhuar dhe mund të eksportosh në vendet e rajonit. Po ashtu edhe me vendet e Bashkimit Evropian me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit edhe aty duhet të punojmë që të mos kemi ndonjë pengesë”, ka thënë Rafuna.

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) përveç pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare, nuk ka njoftuar nëse ka arritur të tërheqë investitorë të huaj. Prej dy ditësh ajo nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse ka pasur interesime nga kompani të mëdha.

E në Bankën Qendrore treguan se gjatë vitit 2025 vlera e investimeve të huaja pritet të arrijë në 934.4 milionë euro, kurse në vitin e ardhshëm ta kalojë 1-miliardëshin.