Që prej vendosjes së çmimit prej 5 centë për qeset plastike në vitin 2023, importi i tyre ka rënë ndjeshëm, ka njoftuar instituti Atlas përmes disa grafikëve të publikuara.
Sipas Atlasit, nga një milion kg në vitin 2021, importi i tyre ka rënë në 250 mijë kg në vitin 2024, duke rezultuar me rreth 1 milion euro kursime në vit.
“Vendosja e çmimit prej 5 centë për qeset plastike në tetor 2023 ka sjellë rezultate të prekshme: importi ka rënë nga 1 milion kg në 2021 në vetëm 250 mijë kg në 2024 – një kursim prej rreth 1 milion eurosh në vit. Kjo dëshmon se politikat fiskale mund të ndikojnë realisht në uljen e ndotjes mjedisore”, është thënë në postimin e institutit.
Atlasi ka bërë thirrje që qeset plastike njëpërdorimshe të ndalohen tërësisht.
Tutje thuhet se Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit nuk ka publikuar ende të dhënat për prodhimin vendor, siç kërkohet me ligj, deri me 31 mars të çdo viti.
Në tetor të 2023-tës ka filluar zbatimi i Udhëzimit Administrativ për qeset e plastikës, i cili i ndalon tërësisht disa, e disa të tjera i bën me pagesë.
Përdorimi i qeseve të plastikës falas është i mundur vetëm për qeset që përdoren për fruta nga 0 deri në 25 mikronë. Ndërkohë, qeset nga 25 deri në 50 mikronë kushtojnë 5 centë.