Për fëmijët, shkolla është një hap drejt ëndrrave, e për nxënësit me aftësi të kufizuara është dritarja e vetme drejt botës. Aty ata mësojnë, socializohen dhe ndërtojnë shpresat për një të ardhme më të mirë. Por kur kjo dritare mbyllet pas përfundimit të shkollimit të obligueshëm, shumë prej tyre ndihen të izoluar e të privuar nga mundësitë për zhvillim
Rrugët e jetës së tyre shpesh kanë më shumë pengesa sesa mundësi. Për fëmijët, shkolla është një hap drejt ëndrrave, e për nxënësit me aftësi të kufizuara është dritarja e vetme drejt botës. Aty ata mësojnë, socializohen dhe ndërtojnë shpresat për një të ardhme më të mirë. Por kur kjo dritare mbyllet pas përfundimit të shkollimit të obligueshëm, shumë prej tyre ndihen të izoluar e të privuar nga mundësitë për zhvillim.
Njëri nga ta është Diari, (emër fiktiv për të mbrojtur identitetin e tij), i cili ka mbushur këtë janar dy dekada jetë. Ai u diagnostikua me autizëm në moshën katërvjeçare. Deri para pesë vjetësh, dita e tij ishte e mbushur me aktivitete. Katër orë në shkollë dhe dy orë në një qendër ku përfitonte shërbime terapeutike. Mirëpo, pas përfundimit të ciklit të mesëm të ulët, rutina e tij mori kthesë tjetër. Tani, i gjithë realiteti i tij përkufizohet brenda një apartamenti prej 80 metrash katrorë dhe shëtitjeve rutinë në rrugët e betonuara të qytetit me familjen.
Fati i Diarit i ka përcjellë edhe nxënësit e tjerë me aftësi të kufizuara në shkollën “Mihail Grameno”, në Fushë-Kosovë.
“Fatkeqësisht, para një jave e kisha në shkollë një nga ish-nxënësit tanë. Kur e pyeta se ku po gjendet tani, më tha: ‘Në shtëpi.’ U ndjeva jashtëzakonisht keq. E kujtoj atë klasë, ku me mësuesen ishim në bashkëpunim të vazhdueshëm. Përveçse ata ishin në klasën e bashkëngjitur, gjithmonë i përfshinim në orët e edukatës fizike, artit figurativ dhe muzikor. Herë pas here, i merrnim edhe në orët e gjuhës shqipe për të ushtruar leximin. Por fati i tyre, për fat të keq, mbetet i njëjtë”, ka thënë Ismet Gashi, drejtor në SHFMU “Mihail Grameno”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, janë rreth 3.900 nxënës me aftësi të kufizuara në nivelin parauniversitar. Në nivelin e mesëm të lartë numri bie ndjeshëm – as 1.000 prej tyre nuk vijojnë shkollimin.
Drejtoresha e shoqatës “Autizmi”, Hatixhe Hoxha, thekson se pas përfundimit të shkollimit të obligueshëm, këta fëmijë përballen me izolim të plotë.
“Pas klasës së nëntë, kur shumë prej tyre do të duhej të vijonin shkollat e mesme, shumica mbesin të mbyllur në shtëpi. Nuk ka qendra të dedikuara për ta. Për shembull, qendra jonë pranon fëmijë nga mosha dy deri në tetëmbëdhjetë vjeç, por kjo nuk mjafton. Ka fëmijë që nuk mund të jenë në shkollë me orar të plotë dhe nuk kanë as një alternativë tjetër”, ka deklaruar Hoxha.
Por mungesa e vazhdimësisë në socializim, sipas psikologes Mendime Kosumi, ka ndikim negativ jo vetëm te fëmijët, por edhe te familjet e tyre.
“Nëse fëmija nuk vijon një shkollë ose një aktivitet që e ndihmon të qëndrojë i angazhuar, prindërit detyrohen të kërkojnë alternativa private, që shpesh janë shumë të kushtueshme. Përndryshe, fëmija mbetet i mbyllur brenda shtëpisë, duke e bërë edhe më të rëndë barrën emocionale dhe financiare për familjen”, ka thënë Kosumi.
Përderisa në Kosovë privohen nga e drejta për socializim, bashkëmoshatarët e Diarit në shumë prej vendeve perëndimore kanë shanse për zhvillim më të lartë. Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë sistem të mirëpërcaktuar mbështetjeje edhe pas përfundimit të shkollimit të obligueshëm. Ata mund të ndjekin shkolla të mesme të përshtatura, qendra ditore ose të përfshihen në programe trajnimi profesional, duke u dhënë mundësinë për jetë më të pavarur dhe të integruar në shoqëri.
Për rreth 3.900 nxënës me aftësi të kufizuara janë të punësuar 369 asistentë
Në Kosovë edhe gjatë shkollimit, këta nxënës përballen me vështirësi të shumta. Ligji garanton mbështetje me asistentë, por realiteti është ndryshe. Për rreth 3.900 nxënës me aftësi të kufizuara janë të punësuar 369 asistentë. Udhëzimi administrativ parashikon që një asistent të kujdeset për maksimumi dy fëmijë, në mënyrë që procesi mësimor të jetë më efektiv.
Valza, nxënëse e klasës së gjashtë në “Mihail Grameno”, është diagnostikuar me autizëm. Për pesë vjet, prindërit e saj paguanin mbi 300 euro në muaj për një asistente. Vetëm dy vjet më parë, Komuna e angazhoi një asistente për të.
Në klasën e saj, Valza nuk është vetëm. Edhe pse mësimet nuk i ka si bashkëmoshatarët e saj, ajo është pjesë e grupit. Çdo ditë, asistentja e saj, Nadire Shala, qëndron pranë saj për më shumë se dy orë, duke e ndihmuar të ndjekë ritmin e klasës. Ato ulen së bashku në bankën e fundit. Përvojën e saj shkollore e bën më të lehtë mbështetja e shokëve dhe shoqeve të klasës. Shala thotë se në pushim mes orëve, i afrohen pa hezitim. Gjatë orëve të mësimit shpesh i ndihmojnë në detyra, i shpjegojnë me shumë durim. Dhe kjo, sipas Shalës, është suksesi më i madh i gjithëpërfshirjes, jo vetëm pranimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara, por krijimi i një mjedisi ku ata ndihen pjesë e natyrshme e shkollës.
“Nxënësit, fatmirësisht është një e mirë, pranohen shumë mirë nga ana e nxënësve, bashkëpunojnë shumë mirë me nxënësit, nuk e kanë atë ngurrimin që t'i afrohem apo të mos flasim, apo qysh të flasim me ta, mundohen shumë t’u ndihmojnë, ka raste kur unë e lë edhe vetë gjatë pushimit, pauza që janë ora më orë, nxënësit shumë ofrohen me të. Unë mendoj se kjo është një ndihmesë edhe për nxënësit që nuk janë me nevoja të veçanta, që është ndjeshmëria më e madhe dhe mendoj që ka efekt pozitiv edhe te seanca”, ka theksuar Nadire Shala, asistente për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Qasja gjithëpërfshirëse është e theksuar në të gjitha ligjet dhe strategjitë për arsimin. Koncepti i "gjithëpërfshirjes" përshkon të gjithë Ligjin për Arsimin Parauniversitar. Sipas këtij ligji, të gjitha shkollat janë të detyruara të garantojnë sigurinë e fëmijëve, duke ndaluar ndëshkimin fizik dhe poshtërimin e nxënësve. Po ashtu, ai përcakton të drejtën që çdo fëmijë të edukohet në gjuhën e grupit të tij etnik.
Për të eliminuar barrierat mes nxënësve, në vitin 2014 është miratuar një akt nënligjor për transformimin e klasave të bashkëngjitura, ku më parë mësonin vetëm fëmijët me aftësi të kufizuara të ndarë nga nxënësit e tjerë. Në vend të tyre, janë krijuar "dhomat burimore", hapësira mësimore të dedikuara për mbështetje shtesë, ndërkohë që nxënësit me aftësi të kufizuara ndjekin mësimet në klasat e rregullta.
Mungesa e përkrahjes nga shteti
Megjithatë, pavarësisht ligjeve të miratuara, shteti ende nuk ka ofruar kushte të përshtatshme për zhvillimin kognitiv të nxënësve me aftësi të kufizuara.
“Në gjithëpërfshirje po mundohemi si kolektiv t’i përfshijmë të gjithë dhe të angazhohemi që t’i ndihmojmë ata. Mësimdhënësit përpiqen të adresojnë nevojat e tyre, mirëpo për shkak të mungesës së asistentëve, kemi vështirësi të mëdha që këta nxënës të jenë plotësisht të përfshirë në organizimin mësimor. Mësimdhënësi, duke pasur 33 apo 34 nxënës në klasë, shpesh nuk ka mundësi t’i qaset fëmijës me aftësi të kufizuara aq sa duhet, dhe si pasojë ai mbetet pas dore”, ka thënë Ismet Gashi, drejtor në SHFMU “Mihail Grameno”.
Punësimi i asistentëve është bërë domosdoshmëri, por kjo çështje nuk është përmendur fare gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.
As Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk e kanë përfshirë punësimin e asistentëve në programet e tyre qeverisëse. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka premtuar përmirësimin e kushteve për fëmijët me aftësi të kufizuara, por vetëm për ata që janë në edukimin e hershëm. Ndërsa koalicioni rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka përfshirë në programin e tij qeverisës përmirësimin e kushteve për këtë kategori në institucionet arsimore, por nuk ka dhënë premtime konkrete nëpër tubimet elektorale.
Sipas legjislacionit në fuqi, nxënësit me aftësi të kufizuara të rënda dhe të shumëfishta duhet të kenë asistentë personalë. Vlerësimi i gjendjes së tyre bëhet nga ekipi vlerësues pedagogjik për fëmijët me aftësi të kufizuara, i cili funksionon në kuadër të Komunës. Pas këtij vlerësimi, për secilin nxënës përgatitet plan individual për ta ndihmuar në zhvillimin e tij.
Megjithatë, ky vlerësim shpesh zvarritet. Hatixhe Hoxha thotë se prindërit shpesh ankohen për mungesën e efikasitetit të ekipeve vlerësuese brenda komunave.
“E di që kanë shumë punë, po kisha dashur ta shfrytëzoj rastin edhe tash të apeluoj, që sa më shumë le të bëjnë domethënë vlerësimet e fëmijëve, sepse prindër vijnë edhe në qendrën tonë dhe kërkojnë edhe mbështetjen tonë çka të bëjmë, si të bëjmë. Me krejt informacionet që kemi, domethënë mundohemi t’i ndihmojmë, mirëpo institucioni i parë që duhet ta bëjë këtë është ekipi vlerësues, i cili ka për detyrë të vlerësojë fëmijën dhe të analizojë sa orë, sa ditë dhe sa gjatë duhet të qëndrojë fëmija në kopsht apo shkollë. Ne jemi të përkushtuar që çdo fëmijë të ketë mundësi të barabarta për t’u integruar në shkollë”, është shprehur Hoxha.
Për shkak të mungesës së vlerësimeve, asistentët shpesh punojnë pa plan individual për nxënësit e tyre.
“Por fatkeqësisht, shumë nxënës ende nuk kanë vlerësim dhe plan individual. Për momentin, nuk kemi asnjë plan dhe presim që të përfundojë vlerësimi, pasi ky proces ka filluar, por duhet pritur derisa t’i vijë radha secilit. Prandaj, mundohem të gjej aktivitete që u përshtaten aftësive të nxënëses sime, në mënyrë që të ndihmojmë në zhvillimin e shkathtësive të saj”, ka thënë Nadire Shala, asistente për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Kërkohet miratimi i Ligjit për gjithëpërfshirjen
Një tjetër problem që përmendet nga udhëheqësit e institucioneve arsimore është refuzimi i disa prindërve për t’iu nënshtruar fëmijët e tyre një vlerësimi të tillë.
Për ta lehtësuar këtë proces, psikologia Mendime Kosumi thekson rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithë akterëve me prindërit.
“Që procesi i pranimit të gjendjes së fëmijës të jetë sa më i plotë, duhet të ketë mbështetje nga të gjitha palët e përfshira. Në këtë rast, përfshihen menaxhmenti i shkollës, udhëheqësit, mësimdhënësit dhe ndoshta edhe klubet e prindërve që funksionojnë brenda shkollës. Mënyra më e mirë që ata mund të kontribuojnë është duke pasur njohuri dhe informacione paraprake mbi çrregullimet që prekin fëmijët në faza të ndryshme të zhvillimit, qoftë në shkollën fillore, të mesme të ulët apo të lartë. Prindërit, mësimdhënësit dhe menaxherët e shkollave duhet të trajnohen dhe të jenë në gjendje të njohin shenjat e këtyre çrregullimeve”, është shprehur Kosumi.
Për shkak të mungesës së mbështetjes nga shteti, prindërit përballen me kosto të larta financiare për kujdesin ndaj fëmijëve të tyre me aftësi të kufizuara. Për një familje që ka një fëmijë me autizëm, shpenzimet mujore për shërbimet rehabilituese arrijnë mbi 800 euro.
Hatixhe Hoxha thekson se është e nevojshme miratimi i Ligjit për gjithëpërfshirjen, i cili ka mbetur në formë drafti në Qeveri që nga viti 2017.
“Jemi shumicë, mos të them 80% e komuniteteve të tjera që nuk përfitojnë nga ligjet ekzistuese. Për shembull, ekziston një ligj i veçantë për të verbrit dhe një tjetër për tetraplegjikët dhe paraplegjikët, ndërsa të tjerët janë jashtë këtij kategorizimi. Po presim që ky ligj të miratohet dhe atëherë edhe këto dy kategori do të përfshihen brenda tij. Përveç kësaj, ligji do të sjellë shumë përfitime edhe për personat me autizëm”, ka shtuar Hoxha.
Kosova ende nuk ka statistika të sakta mbi numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara që ndodhen jashtë sistemit shkollor. Ky shqetësim është ngritur vazhdimisht nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare.