COSMO

Historia që mungon

Lufta e UÇK-së në periudhën 1998-1999, ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi, janë temat që parashihen në planprogramin mësimor për nxënësit e klasës së 9-të. Por, ekspertët edhe nxënësit shprehen kritikë për mospasqyrimin e plotë të ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë e rreth saj në këtë periudhë dhe për pasaktësi në të dhënat e prezantuara

Luftëra, traktate, revolucione, emra mbretërish e gjeneralësh, njëra pas tjetrës mbushin faqet e librit të historisë të klasës së 9-të. Tek diku kah faqet e fundit të librit, me 189 faqe, zë vend historia e re e Kosovës, historia e luftës. 

Lufta e UÇK-së në periudhën 1998-1999, ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi, janë temat që parashihen në planprogramin mësimor për nxënësit e klasës së 9-të. Por, ekspertët edhe nxënësit shprehen kritikë për mospasqyrimin e plotë të ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë e rreth saj në këtë periudhë, dhe për pasaktësi në të dhënat e prezantuara. 

Në faqen 148 të librit për klasën e nëntë, në një fjali të shkurtër përmendet aksioni ushtarak serb ndaj familjes Jashari në Prekaz, një prej ngjarjeve më të bujshme të periudhës së luftës, por pa detaje se kur dhe si nisi aksioni, sa anëtarë të kësaj familjeje u vranë e sa mbijetuan gjatë rrethimit treditor e të shtënave nga të gjitha llojet e armëve. 

Lufta e fundit në Kosovë, megjithëse moment kthese në historinë më të re të vendit, në tërësi mbulohet vetëm në tri faqe në tekstet shkollore të historisë. 

Bujar Dugolli, profesor universitar dhe njëri prej autorëve të librit të historisë për klasë të nëntë, e arsyeton mungesën e përmbajtjes së zgjeruar të kësaj periudhe me kufizimet në planprograme. Kufizimet, sipas tij, janë bërë edhe për shkak të ndjeshmërisë së përmbajtjes. 

“Janë të ndara në kurrikulë periudhat historike. Fëmijët janë moshë e vogël dhe nuk është e lejuar në aspektin programor”, ka thënë Dugolli. 

E Zahir Kastrati, njëri prej autorëve të librit së historisë së klasës 12, tha se Ministria e Arsimit është përgjegjëse për përgatitjen e programit lëndor për nxënësit.

“Ministria e Arsimit ka përgatitur programin lëndor me rezultate dhe, sipas tyre, përgatiten njësitë mësimore. Tekstet shkollore përgatiten në mënyrë proporcionale me ngjarjet historike që do të thotë përpilohen të gjitha ngjarjet përafërsisht në mënyrë të barabartë”, ka deklaruar Kastrati.

Edhe masakra e Reçakut me dhjetëra shqiptarë civilë të ekzekutuar nga forcat serbe e që u shndërrua në pikë kthese në zhvillimet brenda dhe jashtë Kosovës, gjen vend me vetëm një fjali të shkurtër.

Mungojnë po ashtu të dhënat për afro 400 masakra dhe zhdukjen e mijëra civilëve shqiptarë, për djegiet e shtëpive, plaçkitjet e për dëbimin e afro një milion shqiptarëve. 

Koha ka kontaktuar disa nga recensentët e redaktorët e teksteve shkollore. 

Por vetëm njëri nga ta, Xhemajl Halili, recensent i librit të historisë të klasës së 9-të dhe asaj të 12-të, ka pranuar të komentojë për përmbajtjet e tyre. Halili, që është edhe mësimdhënës i historisë në shkollën fillore të mesme të ulët “Emin Duraku” në Prishtinë, ka thënë se në shkrimin e historisë së Kosovës duhet të përfshihen ekspertë të shumë fushave. 

“Fillimisht do të duhej të ndryshohej legjislatura, sepse legjislatura që e lejon të themi tekste, konkurset hapen prej shtëpive botuese, pastaj shtëpitë botuese angazhojnë profile të caktuara të historianëve, për shkrimin e teksteve specifike. Kështu që me shkrimin e historisë, konsideroj që do të duhej të përfshiheshin jo vetëm historianët, të profileve histori politike, por në tekstet e historisë të ketë sa më shumë histori sociale, histori prej jetës së përditshme të njerëzve, por normalisht edhe me shkrimin e historisë të ketë edhe mësimdhënës që mësojnë bashkë me këta libra për nxënësit e klasave përkatëse”, është shprehur Halili.

Se tekstet e historisë nuk ofrojnë mjaftueshëm të dhëna për historinë e re të Kosovës, e konfirmojnë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.  

Disa prej tyre që ndjekin mësimet në kryeqytet tregojnë se ndryshe nga informacionet mbi ngjarjet e rëndësishme botërore, për luftën e Kosovës literatura shkollore është e mangët. Të dhënat historike për atë çfarë përjetoi populli shqiptar i Kosovës 26 vjet më parë thonë se i kanë marrë nga të afërmit, nga mediat e nga shënimi i përvjetorëve. 

“Mendoj që ne si gjeneratë e re duhet me majtë ose me përfitu shumë më shumë informata, luftës që ka ndodhur në Kosovë, më shumë sesa informatat që i marrim sa u përket vendeve të tjera të botës, sepse gjithmonë historia fillon duke e ditur për vendin tënd, sesa për vendet e tjera”, ka thënë nxënësja Albiona Buzaku.

Historia e mësuar nga prindërit

E nxënësi Lum Krasniqi është shprehur se kur një histori nuk e mëson, ajo përsëritet.

“Për historinë e Kosovës duhet me mësu shumë, edhe pse në librat tanë ka mungesë të materialit, por ne prej familjarëve dhe bashkë me arsimtarët mësojmë më shumë për historinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Nxënësja tjetër, Bleona Shala, thotë se për historinë e luftës së fundit në Kosovë më shumë ka mësuar nga prindërit.

“Më shumë ne jemi të informuar prej familjarëve ose dikujt që e kemi pasë në luftë dhe na ka tregu më shumë, sesa prej librit, sepse është e përfshirë vetëm një temë, nuk është më gjerësisht apo me marrë më shumë detaje dhe është libri i botuar prej vitit 2019 dhe nuk ka njohuri të përfshira për deklaratat e fundit”, ka thënë ajo.

Përveç mungesës së informacionit të mjaftueshëm mbi luftën e fundit në Kosovë, Bekim Blakaj, drejtor në Fondin për të Drejtën Humanitare, thotë se ka raste kur në tekstet shkollore të historisë ka edhe gabime.

Ai ngre shqetësime mbi saktësinë e të dhënave që ofrohen, duke ndikuar në mënyrën se si trajtohet e kaluara e Kosovës.

“Lufta e fundit në Kosovë nuk është trajtuar në mënyrë serioze, në kurrikulat për tekstet shkollore qoftë ato të historisë apo ato të edukatës qytetare. Në rend të parë, për aq sa kemi vërejtur ne, ka fare pak tekst dhe mësime për luftën e fundit. Nuk ka askund një shpjegim më të gjatë, të një konteksti se si ka ardhur deri te lufta, gjithashtu edhe ngjarjet që përshkruhen në tekstet e historisë janë krejt të shkurtra me një tekst të shkurtër dhe në fakt të dhënat mbi viktimat nuk janë të sakta, janë shumë arbitrare të shkruara”, ka thënë Blakaj. 

E trajtimin e temës së luftës së Kosovës vetëm gjatë gjysmëvjetorit të dytë dhe të përmbledhur në më pak se 5 faqe të historisë e parasheh edhe planprogrami për nxënësit e klasave të 12-ta.

Mësimdhënësit që ligjërojnë lëndën e historisë thonë se për shkak të kufizimeve në kurrikulë druajnë se i lënë nxënësit me njohuri të pakta për këtë periudhë të historisë. 

“Sa i përket temës së luftës në librat e historisë e kemi vetëm një,  kah fundi i gjysmëvjetorit të dytë. Maturantët në fund janë pak si të lodhur dhe të dalë prej sistemit të mësimit, sepse orientohen më shumë për testin e maturës dhe tema nuk mjafton që me pasë më shumë njohuri. Nxënësit më shumë janë të informuar prej mediave ose prej gojëdhënave familjare që e kanë përjetuar luftën, që e kanë bartur brez pas brezi qe 25 vjet, përndryshe në libra ka shumë pak material për luftën e fundit në Kosovë”, ka deklaruar Nexhmije Mazrekaj, mësimdhënëse e historisë në SH.M.L. “Ahmet Gashi”.

Mazrekaj thotë se mungesa e informacionit të plotë i privon nxënësit nga mundësia për të kuptuar se si ka ndikuar lufta dhe përmasat e saj në të ardhmen e një kombi dhe të një bote të tërë. 

“Mundet me ndiku, sepse nxënësit përderisa nuk janë të njoftuar nëpër shkolla, atëherë munden me u marrë për bazë gojëdhënat dhe thashethemet e njerëzve që munden edhe ta devijojnë historinë, kështu që është e domosdoshme që në histori, që në librat e historisë të ketë më shumë të dhëna, që nxënësit të orientohen me bazë prej shkollës dhe jo prej diku tjetër që mundet me qenë krejt ndryshe”, ka theksuar ajo.

Roli i UNMIK-ut

E ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se prania e UNMIK-ut në Kosovë ka ndikuar në mënyrën se si është trajtuar historia e luftës në tekstet shkollore, duke rezultuar në informacione të pakta dhe të mangëta mbi atë që ka ndodhur. 

“Pas luftës janë bërë shumë gabime politike, krahu i luftës, krahu tjetër, janë bërë shumë ndasi, këto duhet të sqarohen në histori. Tashmë kanë kaluar 25 vjet, duhet të trajtohen, duhet me iu tregu fëmijëve, njerëzve se çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur dhe pse ka ndodhur. Kjo është qasje e UNMIK-ut, qasje e kufizuar e asaj që ka ndodhur në Kosovë. Është problem se kur nuk tregohen si duhet, kur nuk shpjegohen si duhet, atëherë shkon e mangët dhe shkon identiteti dhe koha dhe e ardhmja ndikohet nga mënyra se si lexohet dhe se si trajtohet dhe interpretohet e kaluara. Ne jemi duke ecur tash dhe do të ecim në të ardhmen të mangët për shkak të mostrajtimit të duhur, të elementeve historike, jo vetëm të 20-30 vjetëve të fundit, por edhe më larg”, ka thënë Rexhaj.

Për të kompensuar mungesën e njohurive që ofrohet nga librat, drejtori i shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, Visar Osmani, thotë se shkolla që ai drejton ka ndërmarrë iniciativë për të mbajtur aktivitete edukative dhe ngjarje speciale, të cilat ndihmojnë nxënësit të mësojnë më shumë për historinë e luftës së popullit shqiptar dhe për ngjarjet kyç që kanë formuar identitetin e Kosovës. 

“Ne mundohemi të shënojmë çdo datë të rëndësishme që ka të bëjë me lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke filluar prej festave të Nëntorit, Epopenë e UÇK-së dhe datat e tjera që janë të rëndësishme, Dita e Çlirimit dhe datat e tjera që janë të rëndësishme për vendin tonë. Mësimdhënësit organizojnë aktivitete të ndryshme, po fatmirësisht që edhe nxënësit janë hulumtues të cilët e prezantojnë projektin te arsimtarët, që në ato projekte në mënyrë grupore të pasqyrojnë ngjarjet e fundit, historikun të cilin e kanë sjellë situatën e re në vendin tonë. E kemi edhe këndin e historisë në shkollë, ku jemi munduar pak a shumë, me ato materialet e grumbulluara gjeneratat e reja, nxënësit sidomos të klasave të gjashta të vijnë dhe të njoftohen mbi të kaluarën dhe të tashmen të lavdishme të vendit tonë”, ka deklaruar Osmani. 

Ligjëruesi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Durim Abdullahu, thotë se në tekstet shkollore të historisë në Serbi fokusi kryesor është te historia kombëtare e Serbisë. Kjo, sipas tij, bën që temat e popujve të tjerë në rajon të trajtohen më pak.

“Rezultati ka qenë i tillë tekstet e historisë në Serbi kanë qenë tekstet që kanë më së shumti tema nga historia kombëtare e Serbisë, që kanë pothuajse 0 tema nga historia rajonale dhe pak nga historia botërore, që reflekton në pikëpamje të shtetit serb, ku historia e rajonit për ta rrëfehet në kuadër të historisë kombëtare, sepse është e lidhur në sytë e tyre, në mënyrë të pashkëputshme me vetë historinë e Serbisë. Në këtë sens tekstet e historisë në Kosovë qëndrojnë shumë më mirë, madje më së miri në rajon sa i takon shpërndarjes shumë të balancuar mes temave të historisë kombëtare ose vendore, të historisë rajonale dhe të historisë ndërkombëtare”, është shprehur Abdullahu.

Ligjërimi në fakultet

Për dallim nga tekstet shkollore të historisë në Kosovë, Abdullahu tregon shembuj se si në vendet e Evropës Perëndimore përdoren burime për shpjegimin e historisë.

“Në studimet e pedagogjisë janë shembujt që përdorin vendet e Evropës Perëndimore për tekstet e historisë përdoret shumë ndërfutja e burimeve origjinale të drejtpërdrejta brenda teksteve, sikur fotografi, dokumente, faqe të detajuara, fotografi që ndërlidhen me histori të caktuara”, ka shtuar ai.
Oktaj Hasani, asistent në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, thotë se fakulteti që ai ligjëron ka lëndë të veçantë, ku mësohet për historinë e luftës së fundit të Kosovës.

“Ne diskutojmë për periudhën e luftës së fundit në Kosovë dhe e kemi lëndën e veçantë ‘Historia e Kosovës 1912-2008’, ku 3-4 ligjëratat e fundit fokusohen në periudhën 1998-2008, në ngjarjet kryesore që kanë ndodhur në Kosovë. Ne merremi dhe i trajtojmë masakrat, kemi organizuar konferenca shkencore, libra janë botuar veç për masakra të caktuara, mirëpo kur flitet për këto masakra tek nxënësit e shkollave fillore, duhet të kemi kujdes për shkak se janë një moshë më e vogël dhe pak më ndryshe mund t’i perceptojnë pamjet, të cilat edhe shihen”, ka thënë Hasani.

Një vit më parë është themeluar Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, me qëllim ruajtjen dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës. 

Drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Atdhe Hetemi, thotë se qytetarët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për ekzistencën e këtij instituti. 

“Nuk ka ardhur akoma për shkak të mungesës së informacionit që ekziston nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë, duke e pasur parasysh që ne jemi institut i themeluar pak më shumë se 1 vit. Ne mundohemi në vazhdimësi që të kontribuojmë në ngritjen e vetëdijes të shoqërisë, sa u përket krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe në të ardhmen Instituti planifikon që kur të fillojmë të aplikojmë softuerin digjital për të cilin veç se e kemi një projekt të detajuar, pastaj përmes atij softueri t’i ndihmojmë shkollat me ndarjen e informacioneve, narracionin, animacionin sa u përket krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, ka deklaruar Hetemi. 

Përveç mungesës së informacioneve në tekstet shkollore të historisë për shkollat fillore dhe të mesme, Kosova nuk ia ka dalë që pas një çerekshekulli, t’i dokumentojë sistematikisht krimet e bëra nga regjimi serb gjatë luftës së fundit.

Në regjistrimin e popullsisë nga Agjencia e Statistikave, të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar, që për herë të parë u publikuan të dhëna për dëmet e luftës, thuhet se gjatë periudhës së luftës 1998-99 janë vrarë 11.417 persona e janë plagosur 6682. Ndërsa, 193.765 kanë përjetuar dhunë, tortura e pasoja psikologjike. 

Të zhdukur konsiderohen afro 1.600 persona. 

Dëmet vetëm në ekonomi familjare janë vlerësuar mbi 5 miliardë euro.

Ministria e Arsimit, e cila është përgjegjëse për aprovimin e teksteve shkollore, nuk iu ka përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse kanë pranuar ankesa për mospërfshirjen e mjaftueshme të luftës në Kosovë në tekstet shkollore.