Për shkak të vdekjes së diktatorit serb Sllobodan Millosheviq më 11 mars 2006, procesi gjyqësor ndaj tij në Tribunalin e Hagës, pati mbetur i papërfunduar. Por ndërkohë në arkivin e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ishin grumbulluar mijëra faqe dokumente dhe dëshmi të prokurorisë dhe dëshmitarëve të procesit ndaj Millosheviqit, i akuzuar për krime kundër njerëzimit gjatë luftërave në Jugosllavi.
Për të mos i lënë të pashfrytëzuara, duke u bazuar në këto materiale, njëra nga prokuroret e rastit, Nevenka Tromp, shkroi një libër të titulluar “Prosecuting Slobodan Milosevic: The unfinished trial”, që u botua më 2017. I përkthyer në shqip nga Kastriot Myftiu dhe i botuar nga “Pema” me titullin “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”, ky libër është jo vetëm një profil i diktatorit serb Millosheviq, dale nga dosja e tij kriminale, por më shumë se kaq, një studim mbi historinë e Jugosllavisë.
I përzgjedhur si libri i javës në emisionin CODEX të KTV-së, për javën e parë të janarit të vitit 2021, ky libër sqaron shumë nga konteksti politik dhe deri te ai i fateve personale të viktimave të luftërave në Jugosllavi. Nga rreth 500 faqe sa ka botimi në shqip, rreth 70 prej tyre trajtojnë atë që autorja Tromp, e ka quajtur “Plani për Kosovën”. Libri i Nevenka Tromp, “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”, mbase është një nga më të mirët për të kuptuar historinë e shkatërrimit të Jugosllavisë dhe rolin qendror të Serbisë në të.