Botë

Zyrtarizohet plani për ndarjen e Bosnjës

Udhëheqësit e opozitës në Parlament kritikuan politikat e Dodikut, duke thënë se ato janë të nxituara, sjellin pasiguri dhe madje edhe përplasje të mundshme në rajonin ende të paqëndrueshëm të Ballkanit

Parlamenti i Republikës Srpska, organ legjislativ, ombrellë e këtij entiteti në Bosnjë-Hercegovinë, u mblodh të premten për të votuar mbi një sërë hapash që do të dobësonin autoritetin qendror të vendit ballkanik të shkatërruar nga lufta, ndërsa udhëheqësi i tyre rrit fushatën e tij për shkëputje, pavarësisht një kërcënimi për sanksione të reja nga SHBA-ja.

Ligjvënësit pritet të votojnë për fillimin e një procedure për tërheqjen e serbëve të Bosnjës nga Ushtria boshnjake, shërbimet e sigurisë, sistemi i taksave dhe gjyqësori. Kjo do të ishte një tjetër lëvizje thelbësore pas kërcënimeve të përsëritura nga udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik, për të shkëputur rreth gjysmën e Bosnjës dhe për t’u bashkuar me Serbinë fqinje.

Dodiku, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, e quajti seancën e Parlamentit të së premtes historike, që ai tha se do të forconte minishtetin serb të Bosnjës – i formuar si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të sponsorizuar nga SHBA-ja që i dha fund luftës në Bosnjë më 1995.

Udhëheqësit e opozitës në Parlament kritikuan politikat e Dodikut, duke thënë se ato janë të nxituara, sjellin pasiguri dhe madje edhe përplasje të mundshme në rajonin ende të paqëndrueshëm të Ballkanit.

Dodiku ka vite që avokon për ndarjen e minishtetit gjysmë autonom serb të Bosnjës nga Bosnja dhe për ta bërë atë pjesë të Serbisë fqinje.

Me mbështetjen e heshtur nga Rusia dhe Serbia, Dodiku kohët e fundit intensifikoi fushatën e tij, duke u zotuar se serbët e Bosnjës do të deklaronin krijimin e ushtrisë së tyre, autoritetit tatimor, doganave dhe gjyqësorit.

Zyrtarët boshnjakë kanë paralajmëruar se politikat e Dodikut mund të çojnë në përplasje dhe u kanë bërë thirrje SHBA-së dhe BE-së që ta ndalojnë një gjë të tillë.

Gjatë javës është raportuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura ta largojnë Bosnjën “nga shkëmbi” mes kërcënimeve nga nacionalistët serbë dhe po shqyrton sanksionet mes opsioneve të tjera, ka thënë një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

Derek Chollet, një këshilltar i lartë i sekretarit të shtetit, Antony Blinken, ka folur përpara një takimi të premten të asamblesë serbe të Bosnjës, e cila pritet të votojë nëse do të fillojë procesi i tërheqjes nga Ushtria boshnjake, gjyqësori dhe sistemi i taksave.

Hapat e tillë, të kërkuar nga lideri nacionalist, Milorad Dodik, do të përfaqësonin një hap thelbësor drejt shkëputjes. Ka të ngjarë të ketë një vonesë gjashtëmujore përpara se vendimet e asamblesë të hyjnë në fuqi, por një votim mund të fillojë një kthim të mundshëm në konflikt.

Chollet vizitoi Bosnjën muajin e kaluar si pjesë e një ofensive diplomatike nga administrata e Bidenit për t’i trajtuar problemet dhe kërcënimet e gjata të ashpra nga Dodiku për të rindërtuar një forcë të armatosur serbe.

Gjatë luftës, ushtria serbe e Bosnjës kreu spastrim të gjerë etnik, një rrethim gati katërvjeçar të Sarajevës dhe shkatërrimin e “strehës së sigurt” të OKB-së të Srebrenicës. Rreth 100.000 njerëz u vranë në konflikt.

Chollet tha se ai u kishte dorëzuar një letër nga Blinkeni udhëheqësve të Bosnjës, duke theksuar se paqja në Bosnjë ishte një prioritet për administratën.