Botë

Zoran Milanoviq prin me vota në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Kroaci

Zoran Milanoviq

Foto: Associated Press

Presidenti aktual, Zoran Milanoviq ka fituar shumicën e votave në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që janë zhvilluar të dielën në Kroaci.

Sondazhet parazgjedhore parashikojnë se Milanoviq me prirje të majtë, dhe sfiduesi i tij kryesor, Dragan Primoraq, një shkencëtar mjeko-ligjor me pak përvojë politike, por i mbështetur nga partia konservatore në pushtet HDZ, janë shumë përpara gjashtë kandidatëve të tjerë, raporton AP.

Të dielën në mbrëmje rezultatet e para treguan se Milanoviq ka fituar 49% të votave, duke mos siguruar fitoren e plotë për vetëm 5,000 vota, ndërsa Primoraq është shumë më prapa, me 19%.

Ata do të përballen sërish në rundin e dytë më 12 janar.

Milanoviq, me prirje të majtë, është një kritik i hapur i mbështetjes ushtarake perëndimore për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.

Ai shpesh krahasohet me Donald Trumpin për stilin e tij luftarak të komunikimit me kundërshtarët politikë.

Politikani më popullor në Kroaci, 58-vjeçari Milanoviq ka shërbyer si kryeministër në të kaluarën.

Në stilin populist, ai ka qenë një kritik i ashpër i kryeministrit aktual konservator, Andrej Plenkoviç.