Kryeministri çek, Petr Fiala, ka thënë se një sulm i dështuar me zjarr që ndodhi në Pragë javën e kaluar është “shumë e mundshme” që është organizuar dhe financuar nga Rusia, transmeton “BBC”.
Duke folur pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Çekisë, Fiala tha se sulmi i dështuar ishte dukshëm pjesë e një “fushate hibride” sabotazhi që po drejtohej nga Moska kundër vendeve evropiane.
Policia tha se një shtetas i huaj u arrestua të shtunën në lidhje me ngjarjen dhe po mbahej në paraburgim me akuza për terrorizëm.
Ai u përshkrua si “një burrë që fliste spanjisht dhe me origjinë nga Amerika e Jugut” dhe se kishte qenë në Çeki për pesë ditë.
Kryeministri Fiala tha se përpjekja për të djegur autobusët në një depo në Pragë me gjasë ka lidhje me një valë të sulmeve me zjarr në Evropë që duket se janë orkestruar nga Moska.
Këto, tha ai, përfshijnë sulmin me zjarr në maj në Varshavë, dhe një sulm të ngjashëm në filialin e Ikeas në Lituani.
“Lidhja e këtyre rasteve me Rusinë nuk është vetëm e mundshme, por shumë e mundshme”, tha Fiala para gazetarëve. “Sulmi ndoshta është organizuar dhe financuar nga Rusia”.