Yakir, 33-vjeçar, është thirrur nga Ushtria e Izraelit për të luftuar kundër Hamasit në Gazë. Ai nuk donte të bëhej ushtar por, sipas ligjeve izraelite, çdo burrë deri në moshën 40-vjeçare është i përshtatshëm si rezervist. Familja e Yakirit nuk e di se ai është në mision brenda Gazës dhe kontaktet me ta i ka të pamundura tani
(BBC) - Yakir nuk e di se kur do të jetë në gjendje të takojë përsëri të dashurin e tij pasi njësia e ushtrisë izraelite, ku ai bën pjesë, do të shkojë në Rripin e Gazës për të luftuar kundër Hamasit.
“Unë nuk i kam treguar familjes sime se do të shkoj brenda Gazës. Nuk dua që ata të shqetësohen. Vetëm i dashuri im e di që do të jem brenda”.
“Unë nuk e di se çfarë lloj misioni do të kem apo nëse do të kthehem i gjallë”.
33-vjeçari u rrëfye disa orë para fillimit të misionit dhe tha se kishte leje nga eprorët e tij për të folur me BBC-në.
Në intervistën e tij ai tha se mendonte se Izraelit nuk i ishte dhënë asnjë alternativë pas sulmeve të 7 tetorit, pos të shkonte në Gazë për të shkatërruar Hamasin.
“Nëse ata nuk kishin frikë të hynin në Izrael, ne nuk duhet të kemi frikë të shkonim në Gazë, për t’u siguruar që ata nuk do ta bëjnë më kurrë atë që bënë një muaj më parë me njerëzit e pafajshëm, foshnjat dhe fëmijët”.
Yakir u thirr për luftë së bashku me qindra e mijëra rezervistë, menjëherë pas sulmit në të cilin u vranë 1.200 njerëz dhe rreth 240 u morën peng.
Ditën e sulmit ai dhe i dashuri i tij ishin duke fjetur në banesën e tyre kur u zgjuan papritur nga alarmet e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në aplikacionin “Komanda e frontit”, i cili paralajmëron për sulme me raketa.
“Unë jetoj në Ramat Gan, pranë Tel-Avivit. Jemi mësuar me alarmet. Sapo rashë për të fjetur”, kujton ai.
“Por pak më vonë, i dashuri im më zgjoi për të më thënë se terroristët kishin hyrë në Kibbutz Be’eri dhe kishin rrëmbyer 20 njerëz... Ishte vetëm një pjesë e vogël e asaj që po ndodhte”.
Yakir tha se shpejt e kuptoi se do të thirrej nga IDF-ja.
“E kuptova çfarë gjendje ishte. E dija përpara se ta thoshte qeveria. Unë bëra gati çantën time dhe thashë: “O Zot, tani po i them lamtumirë jetës sime normale”.
Yakir nuk donte të bëhej ushtar. Nuk i pëlqente ushtria, sepse nuk i pëlqente t’i jepnin urdhra.
Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm në Izrael dhe si të gjithë të rekrutuarit, ai shërbeu tre vjet deri në moshën 21 vjeç. Deri në moshën 40-vjeçare ai mbetet i përshtatshëm si rezervist.
Para datës 7 tetor ai donte të shkonte te mjeku për t’i kërkuar që të thoshte se për arsye mjekësore ai nuk ishte i aftë për të qenë rezervist.
Menjëherë pas sulmit të Hamasit, Izraeli nisi ofensivën e tij me qëllimin e deklaruar për të shkatërruar grupin. Lufta deri më tani ka lënë të vrarë më shumë se 11 mijë njerëz në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, duke përfshirë më shumë se 4.500 fëmijë.
BBC-ja e pyeti se çfarë mendon për viktimat civile. Yakir shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë dhe tha se IDF-ja jep paralajmërim paraprak për të evakuuar civilët përpara se të godasë.

Heshtja për civilët
Por në një luftë, tha ai, vdekjet e civilëve janë të pashmangshme. “Duhet të mbani mend, ne nuk e filluam këtë luftë”.
Në vend që të priste që të thirrej, ai e vuri veten në detyrë aktive dhe më tha se po lufton për të jetuar në një botë në të cilën Hamasi - të cilin Izraeli, Britania e Madhe dhe vende të tjera e konsiderojnë organizatë terroriste - nuk ekziston më.
“Por nuk ishte e lehtë, të lija atë që dukej si jetë e përsosur për mua, deri në atë mëngjes të 7 tetorit”.
Teksa priste të dërgohej në Gazë, ai donte të shfrytëzonte sa më shumë “jetën normale” me të dashurin e tij. Ata shkuan në vendet që u pëlqente t’i vizitonin para 7 tetorit.
“Ka një liqen në parkun kombëtar Ramat Gan. Unë shkova atje me të dashurin tim dhe disa miq të tjerë. Thjesht doja ta shikoja muzgun. Ndjeva se ishte hera e fundit që po bëja një jetë normale para se të shkoja në ushtri. Unë isha ulur atje, duke parë ujin dhe në heshtje duke thënë lamtumirë”.
Yakir u vendos fillimisht në qytetin jugor të Sderotit. Ai i kaloi dy javë duke patrulluar rrugët e qytetit. “Nuk kam fjetur shumë. Frika po më zgjonte. Më mungonte familja ime. Isha i lodhur, i uritur”.
Ne folëm derisa Yakir po përgatitej të hynte në Gazë, në këmbë dhe gjatë natës. Ai nuk e dinte se sa do të zgjaste udhëtimi i tij. “Brenda Gazës ne nuk do të kemi asnjë telefon celular. Armiku mund t’i gjurmojë dhe të na godasë me raketa”, tha ai.
Gjatë një operacioni të fundit në kufirin e Gazës, tha Yakir, e gjithë njësia kishte vetëm një telefon të sigurt ushtarak - të cilin ndonjëherë mund ta përdorte për t’i dërguar një mesazh të shkurtër të dashurit të tij për t’i thënë se ishte mirë. Më pas i dashuri i tij ua tregonte ato mesazhe familjes së tij.
Por këtë herë ai mendon se mund të mos jetë aq e lehtë të mbajë kontaktet.
Yakir thjesht dëshiron të besojë se lufta do të përfundojë shpejt, ose përndryshe do të zëvendësohet nga një ushtar tjetër, në mënyrë që të mund të kthehet në shtëpi.
Jetët e të gjithë izraelitëve kanë ndryshuar përgjithmonë, tha Yakir, dhe kishte një ndjenjë uniteti që tha se të gjithë në Izrael e ndiejnë për momentin. “Të ndihesh i pasigurt është trauma jonë kombëtare tani”.
Para luftës vendi ishte thellësisht i ndarë në lidhje me planet e diskutueshme të qeverisë për reformat e drejtësisë, të cilat çuan në muaj protestash.
“Ajo që ndodhi e tronditi vendin aq shumë sa vendosëm se nuk donim të luftonim më me njëri-tjetrin”, tha Yakir. “7 tetori na ribashkoi. Ortodoksë dhe joortodoksë, i djathtë dhe i majtë, ne jemi një komb sot”.
Në fund të bisedës, Yakir tha se ka shumë frikë. “Unë e di se terroristët mund të dalin nga tunelet, të na qëllojnë dhe të kthehen në tunele”. “Tashmë një oficer i njësisë sime është vrarë. Ata mund të gjuajnë raketa ndaj nesh dhe nuk ka alarme në Gazë”.
Përktheu: Forca Jashari