Sipas projeksioneve të para të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian që përfunduan të dielën mbrëma, është shënuar rritje e të djathtës ekstreme, por jo në mënyrë aq dramatike sa të rrezikojw funksionimin e Parlamentit Evropian dhe të BE-së.
Sipas projeksioneve të para që bazohen në rezultatet zyrtare nga disa vende ndërsa nga disa vende tjera nga anketat, tri grupet e para politike kanë arritur të mbajnë pozitat që kanë për nga numri i vendeve në Parlamentin Evropian.
LEXO EDHE:
Partia Popullore Evropiane (PPE) pritet t’i ketë 181 vende, që do të ishte 5 vende më shumë se në përbërjen e fundit. Grupimi socialist S&D do t’i ketë 135 vende, 4 më pak se në periudhën 2019-2024, Liberalët nga Reneë pritet t’i kenë 82, që është për 20 vende më pak se herën e fundit, prandaj mund të konsiderohen si humbës të mëdhenj. Por, së bashku këto tri grupe do të kenë afër 400 vende në parlamentin që ka 720 vende, dhe nëse merren vesh mund të sigurojnë numrin e votave për vendimet kryesore të BE-së siç ka qenë edhe më herët.
Si parti pro evropiane mund të konsiderohen edhe të Gjelbërit që kanë pësuar ulje. Nga 71 sa kanë pasur deri më tash, kanë rënë në 53. Por, edhe me këtë numër japin kontribut në rritjen e shumicës pro evropiane. Madje as grupimi i konservatorëve ECR nuk mund të konsiderohet si parti ekstreme por më shumë si parti skeptike ndaj thellimit të integrimeve brenda BE-së.
Ky grupim sikur brenda tij të mbetën të njëjtat parti nacionale, do të ketë rritje për vetëm 2 vende. Ndërsa rritje prej 13 vendeve, nga 49 në 62, ka shënuar grupimi Identiteti dhe Demokracia (ID) që është grupim i ekstremit të djathtë. Partitë me orientim komunist dhe të ekstremit të majtë pritet të kenë 34 vende. Pra partitë që mund të konsiderohen si të ekstremit të djathtë nuk do të kalojnë 150 vende nga 720 sa ka Parlamenti Evropian dhe për nga numri nuk mund të jenë ndonjë forcë serioze. Por, problem më i madh do të jetë fitorja e ekstremit të djathtë në disa vende anëtare të BE-së dhe ndikimi që kjo do të ketë në qëndrimet e atyre vendeve edhe në Bashkimin Evropian. Sa i përket vet përbërjes së Parlamentit Evropian, këto zgjedhje nuk kanë shkaktuar ndonjë ndryshim dramatik.