Botë

Zelensky viziton Kharkivin derisa atje po zhvillohen luftime të ashpra

Volodymyr Zelensky

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka udhëtuar të enjten për në Kharkiv, disa ditë pasi Rusia ka hapur një front të ri në luftë, me një sulm përtej kufirit në veri të rajonit.

Zelensky ka shkruar në Telegram se ka mbajtur një takim atje me liderët e lartë, raporton The Guardian.

“Nga sot, situata në rajonin e Kharkivit është përgjithësisht nën kontroll, ushtarët tanë po i shkaktojnë humbje të konsiderueshme okupatorit.  Por drejtimi mbetet jashtëzakonisht i vështirë, ne po forcojmë njësitë tona”, ka shkruar presidenti ukrainas.

Ai ka thënë se gjatë takimit në të cilin ishte prezent edhe komandanti i Përgjithshëm, Oleksandr Syrskyi, diskutimet përfshinin “në detaje perspektivat e situatës luftarake, kërcënimet në ditët dhe javët në vijim dhe mundësitë tona, ukrainase, për t'iu kundërvënë planeve sulmuese ruse”.

Vizita e Zelenskyt në Kharkiv ka ndodhur në ditën kur presidenti rus, Vladimir Putin po qëndron në Kinë, ku është pritur me nderime shtetërore nga homologu i tij kinez, Xi Jinping.

Putini raportohet të ketë biseduar me Xi-në edhe për luftën në Ukrainë, derisa e ka falënderuar atë për përpjekjet për ta zgjidhur konfliktin në Ukrainë.