Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se forcat ukrainase do të detyrohen t'i lëshojnë Rusisë territore të tjera, nëse ndihma e SHBA-së nuk vjen shpejt.
Në një intervistë për Washington Post, Zelensky i ka bërë apel Kongresit për të kaluar paketën e ndihmës multi-milionëshe për Ukrainën, derisa ka thënë se vonesa mund të rrezikojë qytete të rëndësishme të Ukrainës.
Administrata e presidentit, Joe Biden, po përpiqet të shtyjë një paketë ndihme ndërkombëtare prej 95 miliardë dollarësh, e cila përfshin 60 miliardë dollarë për Ukrainën, përmes Dhomës së Përfaqësuesve, më shumë se muaj që kur u miratua në Senat.
"Nëse nuk ka mbështetje nga SHBA-ja, kjo nënkupton se nuk kemi mbrojtje ajrore, s’kemi raketa Patriot, s’kemi bllokues për luftën elektronike, s’kemi fishekë artilerie 155 milimetrash. Kjo do të thotë se duhet të kthehemi prapa, do të tërhiqemi, hap pas hapi, me hapa të vegjël”, ka deklaruar Zelensky.
Ai ka thënë se Kievi do të detyrohet të bëjë më pak dhe të prioritizojë burimet, dhe se shkurtimi mund të ketë pasoja.
“Nëse ju duhen 8,000 fishekë në ditë për të mbrojtur vijën e parë, por keni vetëm, për shembull, 2,000 fishekë, duhet të bëni më pak”, ka shpjeguar ai, duke thënë se zgjidhja mund të sjellë shkurtimin e vijës së parë.
"Nëse dobësohemi, rusët mund të shkojnë në qytetet e mëdha”, ka shtuar ai.
Një pjesë e madhe e lindjes së Ukrainë ka qenë nën kontrollin rus që kur Rusia ka nisur pushtimin, më shumë se dy vjet më parë.
Muajin e kaluar, Kivei njoftoi se është tërhequr nga Avdiivka, një nga qytetet më të kontestuara në frontin e tij lindor në muajt e fundit.
Ndërsa rëndësia e saj strategjike është e kufizuar, humbja e Avdiivka - marrë së bashku me pushtimin e qytetit të Bakhmutit nga Moska vitin e kaluar, tregon se si lufta duket se është kthyer në favor të Rusisë.
Kohët e fundit, Rusia ka shtuar sulmet në fshatrat kufitare të Ukrainës, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin ngriti mundësinë e krijimit të një "zone sanitare" brenda Ukrainës për të mbrojtur rajonet jugperëndimore të vendit të tij.
Kjo erdhi pasi Putini siguroi një fitore të papritur në zgjedhjet presidenciale të diskredituara gjerësisht në fillim të këtij muaji.
Zelensky ka thënë megjithatë se Ukraina po përpiqet "të gjejë një mënyrë për të mos u tërhequr".
Presidenti ukrainas ka deklaruar se opsionet e Ukrainës varen nga ajo që vendos Kongresi.
"Nuk mund të humbim më kohë. Ukraina nuk mund të jetë një çështje politike mes palëve”, është shprehur ai.