Botë

Zelensky: Trumpi do të bëhej president humbës nëse imponon marrëveshje të keqe të paqes për Ukrainën

Volodymyr Zelensky

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Donald Trumpi rrezikon të bëhet “një president humbës” nëse ai i fiton zgjedhjet e nëntorit dhe imponon një marrëveshje të keqe të paqes në Ukrainë, ka deklaruar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke shtuar se kjo do të nënkuptonte fundin e SHBA-së si një “lojtar” global.

Në një intervistë për “The Guardian” në Kiev, Zelensky ka thënë se “nuk ka ende një strategji” se çka do të bënte nëse Trumpi do të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë dhe se ish-kryeministri britanik, Boris Johnson i ishte afruar në emër të tij.

Nëse Trumpi e mund presidentin aktual, Joe Biden, ai pritet që ta shkurtojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Vitin e kaluar, Trumpi kishte deklaruar se mund t’i jepte fund luftës brenda “24 orësh”. 

Ndihmësit e Trumpit kanë skicuar më parë një plan të mundshëm që do të përfshinte dhënien e rajoneve lindore të Ukrainës Rusisë, si dhe Krimesë. 

Por Zelensky e ka bërë të qartë se "ukrainasit nuk do ta duronin këtë". 

Zelensky ka thënë se një Trump i rizgjedhur, nëse do të donte vërtet, mund t'i impononte një humbje dërrmuese ushtarake Ukrainës. 

“Ukraina, duarzbathur, pa armë, nuk do të jetë në gjendje të luftojë një ushtri shumëmilionëshe ruse”, ka thënë Zelensky për Guardian.

Duke folur brenda selisë së tij presidenciale, ai ka shtuar se mendonte se ky skenar ishte i pamundur.

Por ka thënë se nëse do të ndodhte, do të kishte pasoja të rënda për pozitën e SHBA-së në botë – si dhe për Trumpin personalisht. 

“A dëshiron ai të bëhet një president humbës? E kuptoni se çfarë mund të ndodhë?”, është shprehur Zelensky.