Botë

Zelensky thotë se ushqimi po përdoret si armë nga Rusia

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia po i përdor furnizimet me ushqim për t’u bërë presion shteteve të tjera që t’i njohin territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia si ruse, raporton BBC.

Zelensky ka falënderuar ato shtete që kanë refuzuar ta bëjnë këtë.

“Që nga fillimi i luftës së shkallës së plotë, portet ukrainase janë bllokuar nga Rusia. Portet tona në lumin Danub mbesin shënjestër e sulmeve me raketa e drone”, ka thënë Zelensky në fjalimin e tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ai ka thënë se Rusia nuk duhet të ketë të drejtë të “mbajë armë nukleare”.

Zelensky po ashtu ka folur edhe për kidnapimin e fëmijëve ukrainas nga forcat ruse.

Ai ka thënë se kidnapimi i fëmijëve ukrainas është politikë e Qeverisë së Vladimir Putinit.

“Ka dhjetëra e mijëra fëmijë që e dimë se janë kidnapuar nga Rusia. Ne po tentojmë t’i kthejmë fëmijët në shtëpi, por kalon koha. Çfarë do të ndodh me këtë? Këta fëmijë në Rusi po mësohen ta urrejnë Ukrainën dhe gjitha lidhjet e tyre me familjet janë shkëputur. Është qartë gjenocid”, ka thënë Zelensky.