Botë

Zelensky thotë se Ukraina ka rimarrë kontrollin e rajonit të Kharkivit

Volodymyr Zelensky

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Forcat ukrainase kanë siguruar “kontrollin luftarak” të zonave ku trupat ruse hynë në rajonin verilindor të Kharkivit në fillim të këtij muaji, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Ushtarët tanë tani kanë arritur të marrin kontrollin luftarak të zonës kufitare ku hynë pushtuesit rusë”, ka deklaruar Zelensky në një videoadresim të premten vonë, raporton AP.

Mirëpo kmentet e Zelenskyt bien në kundërshtim me ato të bëra nga zyrtarët rusë.

Viktor Vodolatskiy, një anëtar i dhomës së ulët të parlamentit të Rusisë, ka thënë se forcat ruse tani kontrollojnë më shumë se gjysmën e qytetit të Vovchanskut, i cili ndodhet pesë kilometra brenda kufirit, njoftoi të premten agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass.

Vovchansku ka qenë një pikë zjarri për luftime që kur Rusia nisi një ofensivë në rajonin e Kharkivit, më 10 maj.

Vodolatskiy u citua gjithashtu të thoshte se, pasi Vovchansku të sigurohej, forcat ruse do të synonin qytetet Sloviansk, Kramatorsk dhe Pokrovsk në rajonin fqinj Donetsk.

Shtytja e Rusisë në Kharkiv duket të jetë një ofensivë e re e koordinuar që përfshin testimin e mbrojtjeve ukrainase në rajonin e Donetskut më në jug, duke nisur gjithashtu inkursione në rajonet veriore Sumy dhe Chernihiv. 

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se ushtria e Kremlinit po përpiqet të krijojë një "zonë tampon" në rajonin e Kharkivit për të parandaluar sulmet ndërkufitare të Ukrainës.