Botë

Zelensky thotë se Ukraina do ta humbë luftën nëse SHBA-ja e ndal ndihmën

Volodymyr Zelensky

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se vendi i tij do ta humbë luftën me Rusinë nëse SHBA-ja ndalon përkrahjen. 

Zelensky, në një intervistë për “Fox News” të martën mbrëma, tha se “do të ishte shumë e rrezikshme nëse humb uniteti në Evropë, dhe ajo çfarë është më e rëndësishme është uniteti mes Ukrainës dhe SHBA-së”, raporton "BBC".

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, gjatë fushatës zgjedhore kishte thënë se do t’i jepte fund luftërave dhe do t’i përdorte paratë e taksapaguesve për t’ua përmirësuar jetën qytetarëve amerikanë. 

Ai kishte thënë se do t’i jepte fund luftës Rusi – Ukrainë për 24 orë, por s’tregoi se si. 

“Nëse ndalin financimin, atëherë mendoj se do të humbim. Sigurisht ne do të qëndrojmë, do të luftojmë, kemi prodhimin tonë, por nuk është e mjaftueshme për të ngadhënjyer dhe mendoj se nuk është e mjaftueshme edhe për të mbijetuar”, tha Zelensky. I pyetur nëse Trump do të jetë në gjendje të ndikojë te Putini që t’i japë fund luftës, Zelensky u përgjigj: “S’do të jetë e lehtë, por po mundet pasi është më i fortë se Putini. Putini është më i dobët se SHBA-ja. Presidenti i SHBA-së ka forcën, autoritetin dhe armët, dhe mund ta reduktojë çmimin e resurseve të energjisë”. 

Të martën, Ukraina lansoi raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi për në territorin rus për herë të parë, një ditë pasi mori aprovimin nga SHBA-ja. 

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, po ashtu është pajtuar t’i japë Ukrainës mina tokësore. 

Por, Zelensky tha se Ukraina po kalon në një “periudhë shumë të vështirë” në fushëbetejë.