Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të premten se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dëshiron të “manipulojë” presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara Amerikës për bisedime potenciale për të përfunduar konfliktin gati tre vjeçar.
Komentet e Zelenskyt erdhën pasi Putini të premten kishte pranuar deklaratën e presidentit të SHBA-së se konflikti në Ukrainë nuk do të ndodhte nëse Trumpi do të ishte president në vitin 2022, ka raportuar agjencia e lajmeve “AP”.
Në paraqitjen e mbrëmshme, Zelensky ka deklaruar se ka marrë raporte nga shërbimet e inteligjencës së huaj për “potencialin e ushtrisë ruse dhe gatishmërinë e Putinit për të vazhduar luftën dhe manipulimin e liderëve botërorë”.
“Ai dëshiron të manipulojë dëshirën e presidentit të SHBA-së për paqe. Kam besim se manipulimet ruse nuk do të kenë sukses më”, ka deklaruar Zelensky.
Në intervistë me televizionin shtetëror rus të premten, Putini ka lavdëruar Trumpin si “i mençur dhe pragmatik” i cili është i fokusuar në interesat e SHBA-së.
“Ne gjithmonë kemi pasur marrëdhënie të besueshme biznesore dhe pragmatike me presidentin e tanishëm të SHBA-së, nuk mund të mos pajtohem me të se nëse ai do të ishte president, nëse ata nuk do t’ia vidhnin fitoren në vitin 2020, kriza që ndodhi në Ukrainë gjatë 2022-tës mund të jetë evituar”.
Trump ka përsëritur se ai nuk do të lejonte që konflikti të ndodhte nëse ai do të ishte në zyrë, edhe pse ai ishte president kur luftimet u ashpërsuan në lindje të vendit në mes forcave të Kievit dhe separatistëve të anuar me Moskën, para se Putini t’i dërgonte dhjetëra mijëra trupa në vitin 2022.
Trumpi ka thënë për Fox News të enjten se Zelensky duhej të kishte bërë marrëveshje me Putinin për të parandaluar konfliktin.
Putini theksoi të premten se është i hapur për bisedime por përmendi vendimin e Zelenkyt në vitin 2022 për të mos negociuar me Moskën.
Ai shtoi se SHBA-ja dhe Rusia kanë shumë probleme të tjera në agjendë, përfshirë armët nukleare dhe problemet ekonomike.