Botë

Zelensky thotë se Orbani s’mund të jetë ndërmjetësues mes Ukrainës e Rusisë

Viktor Orban dhe Volodymyr Zelensky

Viktor Orban dhe Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë të hënën se kryeministri hungarez Viktor Orban nuk mund të ndërmjetësojë mes Rusisë dhe Ukrainës për t'i dhënë fund luftës 28-mujore, një detyrë për të cilën ai ka thënë se mund të ndërmerret vetëm nga fuqitë botërore si Kina, SHBA-ja ose BE-ja.

Orbani vizitoi Kievin dhe Moskën për bisedime javën e kaluar dhe takoi presidentin kinez, Xi Jinping të hënën, duke e përshkruar udhëtimin e tij të papritur në Pekin si fazën e tretë të një "misioni paqeje", raporton Reuters.

Ndërsa liderët botërorë po përgatiten të marrin pjesë në një samit të NATO-s që fillon të martën në Washington, Zelensky ka thënë se vetëm ekonomitë e fuqishme ose vendet me forca të armatosura shumë më të forta se ato të Rusisë mund të menaxhojnë detyrën e ndërmjetësimit.

"A ka shumë vende të tilla në mbarë botën? Jo shumë. Unë besoj se SHBA-ja dhe Kina janë vende të tilla. Dhe BE-ja, jo një vend, por e gjithë BE-ja. Ky mund të jetë vërtet një mision ndërmjetës", ka thënë Zelensky në një konferencë gjatë një vizite në Poloninë fqinje.

Zelensky ka thënë se negociatat e Orbanit me Putinin, të cilat provokuan një reagim brenda Bashkimit Evropian, nuk ishin koordinuar me Kievin.

"Edhe nëse (Putini) takohet me një shtet të caktuar, kjo nuk do të thotë se ai dëshiron t'i japë fund luftës”, është shprehur Zelensky. 

“Kievi mbetet i hapur ndaj propozimeve nga vendet e tjera se si të formësohet rruga drejt paqes, por ato duhet të përputhen me vizionin ukrainas, në veçanti një plan paqeje prej 10 pikash”, ka thënër Zelensky.

Ukraina shpreson të mbajë një samit të dytë ndërkombëtar për të shqyrtuar propozimet e saj për paqe më vonë këtë vit. Kina, e cila ka lidhje të ngushta me Moskën, nuk mori pjesë në takimin e parë në qershor.