Botë

Zelensky: S’mund të heqim dorë nga territoret tona

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se nuk mund të heqin dorë nga territoret e tyre, duke lënë të kuptohet se është kundër mundësisë që Ukraina të bëjë lëshime territoriale për të arritur paqen me Rusinë.

Mediat amerikane kanë raportuar ditëve të fundit se ekipi i Trumpit po punon për një strategji që do të sillte Ukrainën dhe Rusinë në tryezën e bisedimeve. Sipas tyre, Trumpi ka lënë të kuptohet se të dyja palët do të duhet të bëjnë disa lëshime për t'i dhënë fund konfliktit.

“Ne nuk mund të heqim dorë nga territoret tona. Kushtetuta e Ukrainës e ndalon atë. De fakto, këto territore janë aktualisht nën kontrollin rus. Na mungon forca për t'i rimarrë ato. Ne mund të mbështetemi vetëm në presionin diplomatik nga komuniteti ndërkombëtar për të detyruar Putinin të vijë në tryezën e bisedimeve”, ka thënë Zelensky në një intervistë për gazetën franceze “Le Parisien”, të martën.

Sipas tij, ushtria e Ukrainës nuk mund të rimarrë në mënyrë të pavarur Krimenë dhe Donbasin, por kur është pyetur nëse do të konsideronte heqjen dorë nga këto rajone, qoftë edhe përkohësisht, Zelensky ka deklaruar me vendosmëri se Ukraina nuk mund ta dorëzojë ligjërisht territorin e saj.

Ai ka paralajmëroi se hyrja në negociata me Putinin në kushtet aktuale do t'i jepte liderit rus fuqinë për të diktuar kushtet në të gjithë rajonin.

“Së pari, ne duhet të zhvillojmë një model, një plan veprimi, një plan paqeje, quajeni si të doni. Pastaj, ne mund t'ia paraqesim atë Putinit ose, më gjerë, popullit rus”, ka shpjeguar Zelensky.

Ai gjithashtu ka theksuar se asnjë lider botëror “nuk ka të drejtë të negociojë me Putinin pa Ukrainën”.

“Ne nuk ia kemi deleguar askujt këtë mandat. Ne jemi viktimat”, është shprehur ai.