Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina nuk sheh presion të fortë ndaj Rusisë, për t’u dhënë fund luftimeve.
Duke folur gjatë një vizite në Afrikën Jugore, Zelensky ka thënë se nuk ka madje as sanksione të reja ndaj Moskës, pavarësisht mosgatishmërisë së saj për të avancuar bisedimet e paqes, raporton The Guardian.
“Ne besojmë se me presion më të madh ndaj Federatës Ruse, ne do të jemi në gjendje t'i afrojmë palët tona”, është shprehur Zelensky.
Sipas tij, Ukraina ka bërë sa më shumë që të jetë e mundur për të përparuar në bisedimet me SHBA-në duke nënshkruar një memorandum për mineralet, pas heqjes së dispozitave që do të binin në kundërshtim me kushtetutën e saj.
Ai ka shtuar se çdo kompromis i mëtejshëm mund të diskutohet pasi të jetë rënë dakord për armëpushimin.
Por ai ka vënë në dukje se pas mbi tre vjetësh lufte dhe me mijëra të vrarë, gatishmëria për t'u ulur për bisedime me agresorin është tashmë një kompromis.
Zelensky gjithashtu i ka bërë thirrje në mënyrë specifike SHBA-së që të luajë një rol thelbësor në garantimin e paqes.