Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shtuar presionin ndaj Shteteve të Bashkuara për të lejuar që Kievi të godasë objektiva ushtarake brenda territorit rus.
Washingtoni i ka ofruar Ukrainës më shumë se 50 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që nga viti 2022, por e ka kufizuar përdorimin e armëve dhe operacionet mbrojtëse ndërkufitare, raporton Reuters.
Zelensky ka thënë se bombat ruse vranë gjashtë persona dhe plagosën 97 në Kharkiv të premten, derisa ka përmendur edhe sulme të tjera të shtunën. Sipas tij, këto mund të shmangeshin vetëm "duke goditur aeroportet ushtarake ruse, bazat e tyre dhe logjistikën e terrorit rus".
"Ne flasim për këtë çdo ditë me partnerët tanë. Ne japim shkaqet. Ne paraqesim argumente”, ka deklaruar Zelensky në një videofjalim të natës.
Ai ka thënë se pastrimi i qiellit të Ukrainës nga bombat ajrore ruse do të ishte "një hap i fortë për të detyruar Rusinë të kërkonte fundin e luftës dhe një përfundim të drejtë".
“Ne kemi nevojë për aftësi për të mbrojtur vërtetë dhe plotësisht Ukrainën dhe ukrainasit. Ne kemi nevojë për leje për përdorimin e aftësive me rreze të gjatë, dhe predhat dhe raketat tuaja me rreze të gjatë”, ka thënë Zelensky duke iu drejtuar Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.