Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka arritur të martën në Arabinë Saudite, për bisedime rreth Planit të tij të Paqes, me Princin Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.
“Tema e parë është Formula e Paqes. Vitin e kaluar, në Jeddah, kemi mbajtur një takim efektiv të këshilltarëve për ta diskutuar zbatimin”, ka shkruar Zelensky në X.
“Jemi afër Samitit të parë të Paqes dhe mbështetemi në përkrahjen e Arabisë Saudite”, ka shtuar Zelensky, raportoi CNN.
Presidenti ukrainas ka thënë po ashtu se do të mbështetej në Arabinë Saudite për të ndihmuar në lirimin e të burgosurve të luftës ukrainas.
“Tema e dytë është kthimi i të burgosurve dhe të dëbuarve. Udhëheqja e Mbretërisë tashmë ka kontribuar në lirimin e popullit tonë. Kam besim se edhe ky takim do të japë rezultate”, ka shtuar ai.
Në nëntor 2022, Zelensky prezantoi një plan paqeje prej 10 pikash për t'i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës në një fjalim me video drejtuar udhëheqësve të G20 në Bali. Hapat përfshijnë një rrugë drejt sigurisë bërthamore, sigurinë ushqimore, një gjykatë speciale për krimet e dyshuara të luftës ruse dhe një traktat përfundimtar paqeje me Moskën.