Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se vendi i tij është goditur nga “një raketë e re ruse” dhe ka sugjeruar se kishte “karakteristikat” e një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM), raporton “BBC”.
Zelensky ka shkruar në “Telegram” se “të gjitha karakteristikat – shpejtësia dhe lartësia – japin indikacione se ishte balistike ndërkontinentale”.
“Është e qartë se Putini po e përdor Ukrainën si fushë stërvitore. Sot, fqinji ynë i çmendur sërish ka treguar se çfarë është në të vërtetë dhe se si përçmon dinjitetin, lirinë dhe jetën e njerëzve në përgjithësi. Dhe se sa i frikësuar është. Është aq i frikësuar sa që po përdor raketa të reja”, ka shkruar Zelensky.
E një zyrtar amerikan, në kushte anonimiteti, ka thënë se raketa që është lansuar në Ukrainë në orët e hershme të së enjtes nga Rusia, ishte balistike dhe nuk ishte balistike ndërkontinentale, raporton “CBS News”.
Ende po pritet një reagim zyrtar nga SHBA-ja.
