Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se përgjigjja e Putinit për pajtimin në parim armëpushimin e propozuar është “manipulim” dhe se ai i refuzon “parakushtet” e tij.
“Çfarë kemi dëgjuar nga Rusia janë fjalët shumë të parashikueshme dhe manipulative të Putinit. Në praktikë, ai është duke përgatitur një refuzim”, ka deklaruar Zelensky gjatë një adresimi me video-thirrje të enjten.
Zelensky ka shtuar se Putini ka frikë t’ia thotë Trumpit se dëshiron të vazhdojë luftën
“Sigurisht, Putini është i frikësuar t’i thotë drejtpërdrejtë Trumpit se ai dëshiron të vazhdojë këtë luftë, që ai dëshiron të vazhdojë të vrasë ukrainas”, ka shtuar ai.
Presidenti ukrainas po ashtu ka deklaruar se arsyeja pse Moska jep parakushte për armëpushim është që ai të mos arrihet, të mos bëhet i mundshëm.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se “mbështet” një armëpushim 30-ditor me Ukrainën, por sipas tij, “ka gjëra që duhet të diskutohen”.
Ai ka thënë të enjten në një konferencë për media së bashku me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko, se armëpushimi duhet të çojë në paqe të qëndrueshme.