Botë

Zelensky e akuzon Rusinë për krime lufte

Luftimet në Ukrainë janë futur në ditën e pestë. Forcat ruse në orët e hershme të së enjtes kanë nisur pushtimin e Ukrainës. Sulmi i Rusisë është dënuar nga SHBA-ja, BE-ja e shumë shtete tjera, duke i vënë një mori sanksionesh. Ndërkohë Ukraina po merr gjithnjë e më shumë mbështetje nga shtete të ndryshme për të përballuar agresionin rus

23:59 - Bideni i përkushtuar që të mos dërgojë trupa në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, është i përkushtuar që të mos dërgojë trupa amerikane në luftën në Ukrainë. Këtë e ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së bardhë, Jen Psaki, raporton CNN.

“Presidenti e ka bërë shumë të qartë se nuk e ka për qëllim që të dërgojë trupa amerikane për të luftuar me Rusinë”, tha Psaki.


23:52 - Situata në Kiev vazhdon të mbetet e tensionuar

Situata në kryeqendër të Ukrainës, Kiev, vazhdon të mbetet e tensionuar.

Siç është njoftuar nga Forcat e Armatosura të Ukrainës, rusët janë duke shkatërruar infrastrukturën civile dhe po lansojnë raketa nëpër Ukrainë.

“Të dashur banorë të Kievit! Forcat e Mbrojtjes vazhdojnë të kryejnë detyrën e mbrojtjes së Kievit. Njësitet tona po i shkaktojnë humbje të mëdha armikut. Shumë pajisje ruse janë braktisur. Edhe më tepër janë djegur”, ka thënë komandanti i Forcave të Mbrojtjes së Kievit, koloneli Alexander Syrsky.

Ora policore në Kiev mbetet në fuqi nga ora 20:00 deri 7 të mëngjesit.

Image

23:28 - Zelensky e akuzon Rusinë për krime lufte

Në një adresim në orët e vonshme të së hënës, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se në 5 ditë, ka thënë se mbi 160 raketa janë lansuar në Ukrainë nga forcat ruse.

Ai ka shtuar se sulmet e sotme të Rusisë në qytetin Kharkiv, janë qartë krime lufte.


22:52 - Presidentët e tetë shteteve: Ukrainës t’i jepet menjëherë statusi kandidat në BE

Presidentët e tetë shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore u bënë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që t'i japin Ukrainës menjëherë statusin e një kandidati për anëtarësim në BE dhe të hapin negociatat e anëtarësimit, sipas një letre të hapur të publikuar sot.


22:49 - BE-ja fut në listë të sanksioneve edhe 26 rusë, përfshirë edhe zëdhënësin e Kremlinit

Bashkimi Evropian ka përfshirë zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, dhe shefin ekzekutiv të firmës ruse të naftës, Rosneft, në listën e individëve që i ka sanksionuar.


22:27 - Edhe Kroacia do ta ndihmojë me pajisje ushtarake Ukrainën

Kroacia ka vendosur t’i bashkohet shteteve tjera të Bashkimit Evropian, duke i dërguar ndihmë ushtarake Ukrainës.

Ndihma e Kroacisë përfshinë vlerë 16.5 milionë euro, raporton “Veçernji List”.

BE-ja si ndihmë ushtarake për Ukrainën planifikon të ndajë armë dhe pajisje ushtarake në vlerë 450 milionë euro.


22:07 - SHBA-ja dëbon 12 diplomatë të misionit rus në OKB për shkaqe sigurie

SHBA-ja ka dëbuar 12 diplomatë rusë të misionit rus në Kombet e Bashkuara për shkaqe të sigurisë nacionale, raporton agjencia Reuters.

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia i ka thënë gazetarëve se diplomatëve u është kërkuar të largohen nga SHBA-ja deri më 7 mars. Ai ka thënë se Rusia do të reagojë ndaj kësaj lëvizje, pasi është praktikë diplomatike.


21:55 - Disa shpërthime të reja dëgjohen në regjionin e Kievit

Ministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës ka thënë se raketa kanë goditur banesa të banorëve në regjionin e Kievit.

Ndërtesat tri deri në pesë katërshe janë shkatërruar nga një sulm me raketa para tri orëve, ka bërë të ditur Ministria në Facebook.

Një zëdhënës i Shërbimit të Emergjencave Shtetërore ka bërë të ditur se janë duke kërkuar për së paku dy njerëz të djegur në qytetin Bila Tserkva.


21:16 - Norvegjia do t’i ofrojë ndihmë humanitare dhe pajisje ushtarake Ukrainës

Norvegjia do të ofrojë 226 milionë euro ndihmë humanitare, si dhe pajisje ushtarake Ukrainës, raporton CNN.

Qeveria e Norvegjisë ka njoftuar për këtë përkrahje nëpërmjet një komunikate për media të hënën.

Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, ka dënuar sulmet e Rusisë në Ukrainë.

Për pajisjet ushtarake, Norvegjia ka thënë se do të dërgojë helmeta e po ashtu jelekë antiplumb. Ministri i Mbrojtjes së Norvegjisë, Roger Enoksen, ka thënë se këto janë me kërkesë të Ukrainës.


21:13:  Gjykata Ndërkombëtare Penale nis hetimet për pushtimin rus të Ukrainës

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) do të nisë hetimet mbi pretendimet për krime lufte të kryera nga Rusia në Ukrainë.


21:06 -  Pentagoni: Forcat ruse po tentojnë të afrohen afër Kievit, por janë jashtë

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby ka thënë se forcat ruse po tentojnë të lëvizin afër kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, por ata janë ende larg qendrës së qytetit.

“Ne qartë po i shohim forcat ruse që po lëvizin ose po tentojnë të afrohen. Ne ende vlerësojmë se ata janë jashtë qendrës së qytetit, dhe ajo që dimë është se kanë qëllime mbi Kievin”, ka thënë ai. “Ukrainasit janë duke rezistuar në mënyrë efektive rreth Kievit. Ata e kanë bërë të vështirë për forcat ruse që të afrohen”, ka thënë ai.

Kirby ka thënë se rusët janë disa ditë prapa planit, dhe se kanë hasur në rezistencë më të madhe se që kanë menduar.

Ai ka përgëzuar ushtarët ukrainas për rezistencën që po e bëjnë.

“Është dita e pestë e luftimeve, e qartë se rusët nuk kanë bërë përparimin që donin. Nuk do të thotë se ata nuk do të adaptohen e tentojnë të kalojnë pengesat. E qartë se rusët kanë pasur sfidat e tyre me të cilat janë përballur dhe me rezistencë që nuk besojmë se e kanë pritur”, ka thënë Kirby.

Ai ka thënë se forcat aleate do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën me armë. Ndërsa për viktimat në Ukrainë, ai ka shtuar se gjaku është në duart e presidentit rus Vladimir Putin.

Kirby ka shtuar se mund të ketë një zgjidhje të kësaj çështje edhe nëpërmjet bisedimeve, porse shton se duket qartë se kjo nuk është rruga që Putin po e kërkon.


20:47 - Franca zhvendos ambasadën nga Kievi në Lviv

Franca ka vendosur të zhvendosë ambasadën e saj në Ukrainë nga Kievi për në Lviv, ka njoftuar ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian të hënën.


20:22 - Rusia thotë se ka goditur mbi 1100 objektiva ushtarake në Ukrainë

Rusia ka thënë të hënën se ka goditur 1146 objekte ushtarake ukrainase që nga fillimi i sulmeve javën e kaluar.

Këtë e ka thënë në një deklaratë gjeneral-majori Igor Konashenkov, që është zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, raporton CNN.

Në mesin e shënjestrave ai ka thënë se ishin sisteme për mbrojtje ajrore, qendra komunikimi, radar. Po ashtu ka thënë se janë shkatërruar edhe 311 tanke e mjete të blinduara, 42 aeroplanë e helikopterë, 51 raketë hedhës.

Konashenkov ka thënë se gjithë trupat ruse kanë avancuar mëtutje në të dy rajonet pro-Moskë në lindje të Ukrainës, në Donetzk e Luhansk.

Siç ka shtuar Konashenkov, gjatë 24 orëve të fundit, 110 ukrainasë vullnetarisht kanë dorëzuar armët.

Image

19:17- Biden telefonin liderët e Perëndimit

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka mbajtur bisedë telefonike me aleatët për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë.

Pjesë e telefonatës ishte kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, kryeministri italian Mario Draghi, kryeministri i Japonisë Fumio Kishida, sekretari gjeneral i NATO-s Jens Stoltenberg, presidenti i Polonisë Andrzej Duda, presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis dhe kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson.


18:56 - Kryebashkiaku i Mykolayivit paralajmëron se po vijnë më tepër forca ruse

Kryebashkiaku i qytetit jugor të Ukrainës, Mykolayiv ka shkruar në Facebook, duke paralajmëruar civilët që të dalin e të rezistojnë, pasi një numër i madh i forcave të armatosura ruse po vijnë në drejtim të tyre.

Alarmet në qytet janë lëshuar.


18:48 - Rusia suspendohet nga të gjitha garat e futbollit

Të gjitha klubet dhe përfaqësueset e Rusisë në futboll janë suspenduar nga garat e FIFA-s dhe UEFA-s deri në një vendim tjetër. Vendimi që pritet të jetë goditje e madhe për futbollin rus, është publikuar të hënën mbrëma.

Vendimi i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit dhe Konfederatës Evropiane erdhi pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar rekomandoi largimin e sportistëve të Rusisë dhe Bjellorusisë nga garat ndërkombëtare.


18:44 - Britania do t’i ndalojë të gjitha anijet ruse nga portet e saj

Britania e Madhe do tu ndalojë të gjitha anijeve ruse hyrjen në portet e saj, tha të hënën sekretari i Transportit i Britanisë, Grant Shapps.


18:41 - Shtëpia e Bardhë bën thirrje për “reduktim të retorikave dhe depërshkallëzim”

Shtëpia e Bardhë dëshiron që të “reduktohen retorikat dhe depërshkallëzim” pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi forcat bërthamore që të jenë në gatishmëri.


18:23 - Ministri i Brendshëm ukrainas: Situata serioze, por stabile

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Denys Monastyrskyy ka thënë se situata në Ukrainë është serioze, por stabile.

Monastyrskyy ka folur për BBC-në.

“Çdo ditë presidenti më pyet mua, çdo ditë ne koordinohemi, për situatën dhe për atë që po ndodh. Dhe çdo ditë ne kemi përgjigjen se situata është serioze, por stabile. Po vërtetë, çdo ditë armiku dërgon më tepër forca. Por, forcat tona të lavdishme po shkatërrojnë gati çdo gjë që po vjen në Kiev. Kievi mbetet vendi ku po bëhen sulmet kyçe. Çdo ditë ne jemi të gatshëm për çdo skenar, përfshirë edhe në Kiev”, ka thënë Monastyrskyy.

Image

17:57 - Deklarohen palët pas bisedimeve, do të ketë edhe një raund tjetër

Delegacionet ukrainase dhe ruse po kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime, raporton AFP.

Pas bisedimeve, pala ukrainase tha si vijon: "Ukraina dhe Rusia identifikuan një sërë temash, propozimesh dhe zgjidhjesh gjatë bisedimeve".

Ndërsa shefi i delegacionit rus, Vladimir Medinski tha se raundi tjetër i bisedimeve do të mbahet në kufirin polako-bjellorusi, duke mos dhënë më shumë detaje.


17:51 - Dëgjohet shpërthim i madh afër Kievit

Disa shpërthime janë dëgjuar rreth orës 18:40 në kohën lokale të hënën në afërsi të Kievit.

Ato ishin shpërthimet më të mëdha të dëgjuara sot.

Këto shpërthime janë përcjellë me alarme përreth qytetit.


17:47 - Përfundojnë bisedimet për depërshkallëzimin Rusi-Ukrainë

Përfaqësuesit rusë dhe ukrainas kanë përfunduar bisedimet e zhvilluara në Bjellorusi që synojnë ndërmjetësimin e paqes në mes të konfliktit i cili po zhvillohet.

Të dyja palët do të kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime përpara një raundi të dytë bisedimesh i cili mund të zhvillohet në ditët në vijim.

Pritjet për një zgjidhje paqësore nuk kishin qenë të larta përpara takimit të së hënës.

Ukraina tha se donte një armëpushim dhe tërheqje ruse, ndërsa Kremlini tha se nuk do të shpallte qëndrimin e saj. Negociatorët rusë kanë folur për arritjen e një marrëveshjeje që është në interes të të dyja palëve.


17:45 - Zyrtari amerikan: Forcat ruse po lëndojnë civilët

Forcat ruse janë duke i dëmtuar civilët dhe po godasin shënjestrat civile në Ukrainë, ka thënë një zyrtar i lartë i mbrojtjes në SHBA të hënën, raporton CNN.

Ai ka shtuar se nuk është e qartë nëse është e qëllimshme kjo.

“Ne nuk jemi këtu për të arsyetuar rusët, po shohim se banesa dhe infrastruktura civile po goditet. Nuk ka dyshime për këtë, mund të shihet kjo. Nëse është e qëllimshme apo jo, nuk jemi në pozitë për të konfirmuar këtë”, ka thënë zyrtari.

Ai ka shtuar se ndihma e SHBA-së për mbrojtje ndaj Ukrainës po vazhdon të vijë.

Ai në anën tjetër ka shtuar se nuk janë parë forca bjelloruse duke luftuar në Ukrainë.

“Nuk kemi parë trupa bjelloruse duke u bërë gati për të shkuar në Ukrainë. Dhe as që janë duke lëvizur apo janë në Ukrainë”, ka thënë ai për gazetarët.

Ndërkohë për vendimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që të vë në gatishmëri forcat e mbrojtjes bërthamore, zyrtari amerikan ka thënë se nuk është parë ndonjë gjë specifike.


17:40 - Gjermania e gatshme t'i pranojë gjithë refugjatët nga Ukraina

Gjermania ka shprehur gatishmëri të pranojë gjithë refugjatët ukrainas që ikin nga pushtimi rus i Ukrainës.


17:21 - Britania do të kërkojë pezullimin e Rusisë nga Interpoli

Britania e Madhe do të kërkojë që Rusia të suspendohet nga Interpoli, ka thënë në Parlament në Britani, sekretarja e shtetit në Ministrinë e Brendshme të Britanisë, Priti Patel, raporton CNN.

“Qeveria e Ukrainës ka kërkuar sot që Qeveria e Rusisë të suspendohet nga anëtarësimi në Interpol dhe ne do të çojmë gjitha angazhimet ndërkombëtare që kjo të ndodhë”, tha Patel.

Interpoli është agjenci botërore që lehtëson punën e policisë në 195 vende të saj anëtare, duke bashkëpunuar në hetimet penale.


17:19 - Sekretari i përgjithshëm i OKB-së: Luftimet në Ukrainë duhet të ndalen

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i është adresuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në takimin e parë emergjent që nga viti 1982, duke thënë për pushtimin rus “mjaft është mjaft”.

“Lufta në Ukrainë duhet të ndalet”, ka thënë ai, raporton CNN.

Lideri i OKB-së ka bërë po ashtu thirrje se vendosja në gatishmëri e forcave bërthamore nga ana e Rusisë, është “një zhvillim rrëqethës”.


16:37 - Përfundon takimi Ukrainë – Rusi, paralajmërohet raund i ri i bisedimeve

Një këshilltar nga zyra e presidentit ukrainas, Mikhail Podoljak, deklaroi se negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës megjithatë po vazhdojnë.

Ai njoftoi në Twitter se raundi i dytë do të fillojë së shpejti, transmeton Russian Tass. Më herët, këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme nga Kievi, Anton Gerashchenko, tha se bisedimet mes dy palëve në kufirin ukrainas-bjellorusi kanë përfunduar.

“Negociatat mes delegacionit ukrainas dhe atij rus po vazhdojnë. Raundi i dytë do të fillojë pas pak minutash”, ka shkruar Podoljak në Twitter.

“Negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë kanë përfunduar”, shkroi Gerashchenko më herët në llogarinë e tij në Telegram, raportoi Interfax ukrainas.


16:33 - Një civil i vdekur dhe 31 të plagosur në bombardimet e fundit në Kharkiv

Granatimet e fundit të qytetit të Kharkivit kanë lënë të vdekur një grua civile dhe 31 të plagosur, sipas këshillit të qytetit.

Të plagosurit përbëhen nga 15 ushtarakë dhe 16 civilë, sipas këshillit të qytetit në një deklaratë për shtyp.

Gjatë ditëve të fundit, këshilli i qytetit ka regjistruar 44 të plagosur, përfshirë 20 ushtarakë dhe gjithsej shtatë të vrarë. Shtatë viktima përfshijnë dy ushtarakë dhe pesë civilë.


16:14 - Macroni bisedon me Putinin dhe Zelenskyn

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka folur ndaras me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe më pas me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Telefonata me Putinin, siç bëhet e ditur ka zgjatur 1 orë e 30 minuta.


16:04 - Zvicra do të miratojë sanksionet e BE-së kundër Rusisë

Zvicra do të miratojë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, pasi kjo e fundit për disa ditë ka nisur sulmet në Ukrainë.

Siç raporton CNN, nuk do të ketë përjashtime, pesë oligarkëve tashmë u është ndaluar hyrja në Zvicër, llogaritë bankare të të gjithë 336 personave në listën e BE-së, përfshirë Vladimir Putinin dhe Sergei Lavrovin, të cilat do të ngrihen me efekt të menjëhershëm.

Bankat zvicerane besohet se mbajnë miliarda dollarë fonde ruse. Hapësira ajrore e vendit është e mbyllur për avionët rusë, ndërsa linjat ajrore zvicerane kanë anuluar fluturimet e tyre drejt Rusisë, raporton BBC.

Sot presidenti zviceran, Ignazio Cassis, e bëri të qartë, “sulmi ndaj Ukrainës ishte një sulm i papranueshëm ndaj lirisë dhe demokracisë, të luash në duart e agresionit nuk është asnjanës, as nuk është duke qëndruar pranë ndërsa Konventat e Gjenevës, ku Zvicra është shtëpia e tyre, janë shkelur me këmbë”.


15:57 - Vazhdojnë sanksionet e Kanadasë ndaj Putinit

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka njoftuar se pas sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë, institucioneve financiare u ndalohet të angazhohen në transaksione me Bankën Qendrore të Rusisë.

Sipas njoftimit, kjo do t’ia eliminojë aftësinë Rusisë për t’i vendosur rezervat valutore ndërkombëtare me Rusinë, me ç’rast do t’i kufizohet presidentit Vladimir Putin aftësia në luftë.

“Po e bëjmë këtë në koordinim me partnerët tanë të G7 dhe do të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për pushtimin e saj të pajustifikuar të Ukrainës”, thuhet në njoftimi ne Trudeau.


15:43 - Ushtarëve ukrainas u rritet rroga

Qeveria e Ukrainës ka marrë vendim ushtarët t’i paguajë rreth 3000 euro në muaj. Kjo u bë e ditur nga autoritetet ukrainase nëpërmjet mediave online, derisa thuhet se rritje page do të pësojnë edhe forcat e sigurisë, shërbimet inteligjente, departamenti kryesor i Inteligjencës, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi i Transportit, personeli i urgjencave shtetërore, e të tjera.


15: 27 - Marina e Ukrainës: Ushtarët në ishullin e gjarpërinjve "të gjallë dhe mirë"

Ushtarët të cilët po mbronin ishullin e gjarpërinjve në Detin e Zi, të cilët fillimisht u dyshua se kanë vdekur, “janë të gjallë dhe mirë”, ka njoftuar Marina e Ukrainës.

Të hënën, Marina nëpërmjet një deklarate ka thënë se ushtarët në ishull, i njohur gjithashtu si ishulli Zmiinyi, zmbrapsën dy sulme nga forcat ruse, por në fund u detyruan të dorëzoheshin "për shkak të mungesës së municioneve".

Deklarata vazhdoi duke thënë se forcat ruse kanë shkatërruar plotësisht infrastrukturën e ishujve: fenerët, kullat dhe antenat.

Gjatë fundjavës, Shërbimi i Rojës Kufitare të Ukrainës tha se kishte marrë informacion se të 82 ushtarët mund të jenë gjallë.

 


15:11 - Equinor, gjiganti energjetik i Norvegjisë do të largohet nga partneriteti i tij në Rusi

Kompania norvegjeze e naftës dhe gazit Equinor, do të ndalojë të gjitha investimet e reja në Rusi dhe do të fillojë të dalë nga sipërmarrjet e saj të përbashkëta atje, ka thënë kompania në një deklaratë të hënën.

“Ne të gjithë jemi thellësisht të shqetësuar nga pushtimi i Ukrainës, i cili përfaqëson një pengesë të tmerrshme për botën”, tha Anders Opedal, president dhe drejtor ekzekutiv i Equinor.

Kompania tha se kishte 1.2 miliardë dollarë investime afatgjata në Rusi në fund të vitit 2021.

Ajo ka operuar në Rusi për më shumë se 30 vjet dhe ka një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë shtetërore ruse të naftës Rosneft.

Siç raporton CNN, qeveria norvegjeze zotëron dy të tretat e Equinor, sipas faqes së internetit të kompanisë. Të dielën, qeveria norvegjeze njoftoi gjithashtu në një deklaratë se do t'i kërkojë fondit të saj të pasurisë sovrane që të largohet nga Rusia. Fondi e përshkruan veten si një nga më të mëdhenjtë në botë, duke mbajtur 1.5% të të gjitha aksioneve në kompanitë globale të listuara.


15:06 - Qytetarët ua bllokojnë rrugën forcave ruse

Qytetarë të paarmatosur ukrainas po përpiqen t'i ndalin forcat ruse.

Në mediat online kanë publikuar pamje se si po i bllokojnë rrugët me pengesa, derisa tanket ruse nuk janë më larg se 200-300 metra.

“Ukrainasit mbështesin iniciativën e trimave. Fitorja afër”, thuhet në reagim në Facebook.

 
Qytetarët ua bllokojnë rrugën forcave ruse

Qytetarët ua bllokojnë rrugën forcave ruse DETAJE: https://bit.ly/3tfuQsf ?

Posted by Koha.net on Monday, February 28, 2022

14:34 - Rusia mbyll hapësirën ajrore për 36 shtete, përfshirë Shqipërinë

Rusia ka marrë vendim ta mbyllë hapësirën ajrore për 36 shtete, në mesin e tyre është edhe Shqipëria. Disa nga shtetet që nuk do të mund të fluturojnë drejt Rusisë janë Britania e Madhe, Kanada, Norvegjia, e të tjera. Lexo më shumë KËTU.


2:31 - SHBA-ja vëzhgon nga afër Bjellorusinë, përgatitet për më shumë sanksione

Shtëpia e Bardhë po vëzhgon nga afër veprimet e ndërmarra nga Bjellorusia dhe është e përgatitur të vendosë më shumë sanksione ndaj këtij vendi, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës Biden.

Kjo pasi bazuar në zhvillimet e fundit, ku është paralajmëruar se forcat bjelloruse mund t'i bashkohen Rusisë në pushtimin e saj në Ukrainë.

"Ne po i shikojmë ato ngjarje me shumë kujdes," tha zyrtari kur u pyet në lidhje me raportet e inteligjencës që tregojnë se Bjellorusia është e përgatitur për t'iu bashkuar pushtimit rus.

“Ne kemi thënë se në masën që Bjellorusia vazhdon të ndihmojë dhe inkurajojë agresionin e Rusisë në Ukrainë, ata gjithashtu do të përballen me pasoja”, tha zyrtari. "Ne kemi zbatuar tashmë disa nga këto masa. Këto kosto do të vazhdojnë të rriten shumë", përfundoi ai.


14:16 - Ambasada amerikane në Bjellorusi pezullon punën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po pezullojnë operacionet në ambasadën amerikane në Bjellorusi për shkak të çështjeve të sigurisë, ka deklaruar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Departamenti i Shtetit i SHBA ka pezulluar operacionet në Ambasadën tonë në Minsk, Bjellorusi dhe ka autorizuar largimin vullnetar (“largimin e autorizuar”) të punonjësve jourgjent dhe anëtarëve të familjes në Ambasadën tonë në Moskë, Rusi. Ne i morëm këto hapa për shkak të çështjeve të sigurisë që rrjedhin nga sulmi i pajustifikuar nga forcat ushtarake ruse në Ukrainë”, tha Blinken të hënën në mëngjes.


13:43 - Rusia po e sulmon me raketa Kharkovin, raportohet për shumë të vrarë e të plagosur

Rusia po vazhdon të granatojë Kharkovin, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë.

Anton Garaschenko, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, njoftoi përmes rrjeteve sociale për dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur në këtë qytet nga sulmet raketore që kanë nisur nga mëngjesi i së hënës.

Mediumi “Nexta” nxori pamje të sulmeve dhe banorëve të lënduar.

Dje, ushtria ruse e kishte pushtuar qytet në lindje të Ukrainës, por më pas ushtria ukrainase e kishte rimarrë kontrollin.

Luftimet po vazhdojnë.

 

 

13:08 - Vatikani i gatshëm të lehtësojë bisedimet Ukrainë-Rusi

Vatikani është shprehur i gatshëm "të lehtësojë" dialogun midis Ukrainës dhe Rusisë për t'i dhënë fund luftës, ka thënë të hënën Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin.

Parolin, i cili është zyrtari numër një i Vatikanit pas Papa Françeskut, i tha gazetës italiane Corriere della Sera se ai beson se ka ende dhe gjithmonë vend për negociata. “Asnjëherë nuk është vonë”, raporton CNN.


12:49 - Mijëra të interesuar nga jashtë, Ukraina formon legjionin e të huajve

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka bërë të ditur se do po formohet legjioni i të huajve në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ky legjion po formohet pas mijëra aplikimeve të të huajve për të luftuar në Ukrainë kundër Rusisë.

Për më shumë, kliko KËTU

12:38 - Fillojnë bisedimet Ukrainë-Rusi në Bjellorusi

Bisedimet midis delegacioneve ukrainase dhe ruse në Bjellorusi kanë filluar pak para orës 13:00 me orën ukrainase, të hënën.


12:25 - Ukraina: Mijëra shtetas të huaj aplikuan për të luftuar

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se kanë pranuar mijëra aplikime nga shtetas të huaj për t’iu bashkangjitur rezistencës ukrainase ndaj Rusisë.

Kjo u bë e ditur nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter nga Ministria e Mbrojtjes, derisa u tha se të njëjtit “do të mbrojnë sigurinë botërore nda regjimi i Putinit”.


Rusia: Sanksionet perëndimore janë të rënda, por do të kompensohemi

Kremlini zyrtar ka deklaruar se sanksionet perëndimore janë të rënda, por që sipas tij, Rusia ka potencial e duhur për ta kompensuar dëmin.

Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se presidenti Vladimir Putin do të punojë gjatë së hënës në temat ekonomike dhe se do t’i takojë ministrat kryesorë.

Sipas Peskovit, Rusia do t’i shmangë sanksionet perëndimore, të cilat kanë ndikuar në rënien e ndjeshme të rublës ruse.


11:22 - Ukraina kërkon që urgjentisht të anëtarësohet në BE

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të hënën që të pranojë urgjentisht Ukrainën në bllok.

“Ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që urgjentisht të pranojë Ukrainën duke përdorur një procedurë të re”, tha Zelensky në video-mesazhin e tij të fundit, raporton CNN.


11:15 - Rubla ruse bie ndjeshëm

Monedha kombëtare ruse pësoi rënie rekorde të hënën, në 114, krahas dollarit amerikan. Javë më parë, rënie e saj ishte 83.7.

11:06 - Von der Leyen: Ukraina i përket BE-së

Ukraina i përket Bashkimit Evropian dhe blloku dëshiron që ky vend të anëtarësohet, ka thënë të dielën shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.


10:55 - Ukrainasit këshillohen se si të sulmojnë rusët me kokteje molotovi

Pak ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka dal me njoftim në Facebook, duke dhënë këshilla se si prodhohet një koktej molotovi dhe ka ftuar ukrainasit që të bëjnë sa më shumë dhe sa herë kanë mundësi t’i hedhin ato mbi automjetet ushtarake të kundërshtares – Rusisë.


10:40 - Ukraina raporton për 5.300 rusë të vrarë deri më tash

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka dal të hënën, me disa të dhëna për ditët e para të luftës e Rusinë.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie, deri më tash janë vrarë rreth 5.300 ushtarë rusë.


10:39 - NATO i ofron Ukrainës raketa mbrojtëse ajrore dhe armë antitank

Aleatët e NATO-s po i ofron Ukrainës raketa mbrojtëse ajrore dhe armë antitank, ka njoftuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s , Jens Stoltenberg.


10:35 - Ukraina fal të burgosurit me kushtin që të shkojnë në front

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se personat e burgosur që kanë përvojë luftarake, do të lirohen për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës “dhe të kompensojnë fajin e tyre”.

10:25 - Ukraina kërkon armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje të forcave ruse

Ukraina ka kërkuar "armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje të trupave ruse" të hënën, ndërsa delegacioni i vendit mbërriti për bisedime me Rusinë në kufirin Ukrainë-Bjellorusi, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga presidenca ukrainase.

Delegacioni përfshin disa zyrtarë të rangut të lartë, por jo vetë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.


9:56 - Ushtria ruse shpall një korridor të sigurt për largimin e banorëve të Kievit

Ushtria ruse ka njoftuar për një korridor “të hapur dhe të sigurt” për civilët ukrainas që të largohen nga kryeqyteti ukrainas, Kiev, të hënën.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse së Mbrojtjes, Igor Konashenkov, ka deklaruar për thirrjen që i është bërë popullit të Kievit, duke përmendur se popullsia civile nuk është në rrezik.


9:46 - Pala ukrainase mbërrin në kufi për t’u takuar me rusët

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, ka njoftuar se delegacioni ukrainas ka mbërritur në zonën e kufirit ukrainas-bjellorus, për t’u takuar me palën e Rusisë.


9:38 - Ukraina paralajmëron përfshirjen direkte të Bjellorusisë në luftë

Ukraina ka paralajmëruar se përfshirjen direkte të Bjellorusisë në luftën e filluar pesë ditë më parë nga Rusia.

Inteligjenca ukrainase ka thënë se Bjellorusia po tregon gatishmëri për të marrë pjesë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në pushtimin e Rusisë, ka thënë një zyrtar i qeverisë ukrainase për CNN.

8:59 - Ministri britanik i Mbrojtjes: S’mendoj se Putin dëshiron të përdorë armë bërthamore

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë të hënën se nuk pret që presidenti rus, Vladimir Putin, të përdorë armë bërthamore ndaj Ukrainës.


8:48 - Rusia shkel vendimin e Kanadasë për ndalim të fluturimeve

Kanadaja do të hetojë një fluturim ndaj kompanisë ruse Aeroflot, që shkeli vendimin për t’i ndaluar të gjithave fluturimet që vijnë apo nisen në drejtim të Rusisë.

Autoritetet kanadeze thonë se janë të vetëdijshëm për shkeljen që kjo kompani i bëri, derisa destinacion kishte Moskën.


8:37 - Koreja e Jugut do t'i bashkohet sanksioneve SWIFT kundër Rusisë

Koreja e Jugut do të ndalojë eksportet e materialeve strategjike në Rusi dhe do t'i bashkohet përpjekjeve ndërkombëtare për të bllokuar disa banka ruse nga sistemi global i pagesave SWIFT, tha të hënën Ministria e Jashtme e këtij vendi.

MPJ-ja japoneze nuk bëri të ditur se cilat materiale strategjike kyçe do t'i nënshtroheshin ndalimit të eksportit, por tha se kishte njoftuar Shtetet e Bashkuara për vendimin e tyre nëpërmjet një kanali diplomatik.


8:29 - Bjellorusia përgatit terrenin për takimin Ukrainë-Rusi

Bjellorusia ka deklaruar janë të përgatitur për t’i pritur të hënën Ukrainën dhe Rusinë në bisedime, derisa po zhvillohet dita e pestë e luftimeve.

Ukraina, siç raporton BBC, ka rënë dakord t’i dërgojë diplomatët e saj në kufirin ukrainas-bjellorus, pavarësisht deklarimeve të kreut të Bjellorusisë , Alexander Lukashenko, se qëndron krah Rusisë.

“Vendi për bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi është përgatitur, pritet ardhja e delegacioneve”, tha Ministria e Jashtme e Bjellorusisë në rrjetet sociale, duke publikuar një foto të një tavoline të gjatë me flamuj rus dhe ukrainas.

Anatoly Glaz, një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të vendit, tha se bisedimet do të fillojnë sapo të gjithë delegacionet të mbërrijnë në pikën e takimit.

Ndërkohë, përkundër garancisë, Ukraina të dielën njoftoi se është goditur nga disa raketa bjelloruse.

Një deklaratë ukrainase më herët tha se udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko kishte “marrë përgjegjësinë për të siguruar që të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e stacionuara në territorin bjellorus të qëndrojnë në terren gjatë udhëtimit, bisedimeve dhe kthimit të delegacionit ukrainas”.


8:14 - Zelensky paralajmëron se Ukrainën e presin “24 orë kritike”

Presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski, ka paralajmëruar të hënën se 24 orët e ardhshme do të jenë kritike për Ukrainën, pasi që luftimet me forcat ruse janë duke vazhduar në të gjithë vendin. Ai këtë paralajmërim e bëri gjatë një bisede telefonike me kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Gjatë natës janë dëgjuar disa shpërthime në kryeqytetin Kiev dhe në zonat përreth. Ushtria ukrainase ka njoftuar se trupat e saj arritën të zmbrapsin disa sulme të ushtarëve rusë, që përpiqeshin të sulmonin periferitë e Kievit.

E gjatë së hënës, Kombet e Bashkuara do të mbajnë një seancë të posaçme emergjente për Ukrainën, në të cilën do të marrin pjesë të gjitha 193 vendet anëtare.

Sirenat për sulme ajrore u dëgjuan në Cherkasy, Dnipro, Kharkiv dhe Vinnytsya. Në anën tjetër, në Chernihiv pati bombardime, raporton BBC, derisa u regjistrua një person i plagosur.

Të hënën është paraparë të mbahet takimi mes palës ukrainase dhe asaj ruse.

Bisedimet do të mbahen në kufirin mes Bjellorusisë dhe Ukrainës, është thënë nga Zyra e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.