Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se lufta e Rusisë është jashtë çdo rregulli, derisa ka kërkuar të dijë se deri kur bota do ta lejojë këtë shtet të sillet kështu.
Gjatë fjalimit të tij të shtunën në skenën e Konferencës së Sigurisë që po mbahet në Mynih, e ku ishin të pranishëm shumë liderë botërorë, Zelensky ka thënë se viti 2024 duhet të jetë koha për një rivendosje të plotë të një rendi botëror të bazuar në rregulla.
“Ndoshta, Evropa po përballet me kohë kur çështja e thirrjes së nenit 5 të traktatit të NATO-s nuk do të jetë aspak një çështje për Washingtonin, por për kryeqytetet evropiane. Të tilla ‘ndoshta’ janë me qindra. Më 23 shkurt 2022, asnjëri prej tyre nuk ekzistonte. Tani, ato janë pjesë e realitetit. Dhe ajo që na mungon në këtë realitet: siguria. As për shtetin më të madh dhe as për shtetin më të vogël. Ne duhet ta bëjmë sërish realitet sigurinë”, është shprehur Zelensky në fjalimin e tij.
Zelensky ka nënshkruar të premten dy marrëveshje sigurie, një me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe një tjetër me presidentin e Francës, Emannuel Macron.