Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka uruar të enjten Suedinë për anëtarësimin në NATO duke thënë se një ditë do të jetë Suedia ajo që uron Ukrainën për pranim në aleancë.
Suedia u bë zyrtarisht anëtarja e 32-të e aleancës veriatlantike. Vendimi për t’u larguar nga neutraliteti erdhi pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë.
“Sot është e rëndësishme të theksojmë se një tjetër shtet në Evropë është më i mbrojtur nga djalli rus”, ka thënë Zelensky në adresimin e mbrëmjes.
Rusia ka paralajmëruar kundërmasa ndaj Suedisë.
“Në kohën e agresionit rus... të gjithë e shohin se sa e rëndësishme është të ruhen aleancat dhe partneritetet”, ka shtuar Zelensky.
Ukraina ka kërkuar anëtarësimin në NATO. Liderët janë pajtuar që ajo të pranohet sapo të përfundojë lufta, duke insistuar në përmbushjen e disa kritereve.
“Do të vijë një ditë kur Suedia do ta urojë Ukrainën për anëtarësimin në aleancë po ashtu”, ka thënë ai.