Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar të premten një marrëveshje bilaterale të sigurisë, me Gjermaninë, derisa një tjetër pritet ta nënshkruajë me Francën më vonë gjatë ditës.
Lideri ukrainas është mirëpritur nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, në Berlin, derisa më vonë do të udhëtojë për në Paris, për t’u takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron, raporton Associated Press.
Para një konference të përbashkët, kancelari gjerman, Scholz, ka shkruar në X se ai dhe Zelensky, kanë nënshkruar “një marrëveshje mbi zotimet tona afatgjata të sigurisë” dhe e quajti atë “një hap historik”.
Qeveria nuk ka dhënë më tepër detaje rreth saj.
Marrëveshjet dypalëshe të sigurisë dhe mbështetjes afatgjatë pasojnë një marrëveshje sigurie midis Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar të nënshkruar, kur kryeministri britanik Rishi Sunak vizitoi Kievin muajin e kaluar. Kjo marrëveshje mbulon 10 vitet e ardhshme.
Zelensky do të vazhdojë të shtunën në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, një mbledhje vjetore e zyrtarëve të rangut të lartë të sigurisë dhe politikës së jashtme, ku ai planifikon takim edhe me zëvendëspresidenten e SHBA-së, Kamala Harris.