Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të premten se ai dhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, patën një “bisedë të mirë” dhe se ky ishte “takimi i tyre i parë, por jo i fundit”, shkruan BBC.
Zelensky ka thënë se “ne duhet të flasim më shumë, të punojmë më shumë, dhe të përgatisim një plan për ta ndaluar Putinin që t’i japim fund luftës”.
“Ukraina e do paqen, por na duhet garancë reale të sigurisë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Vance ka thënë se me Zelenskyn “kanë pasur bisedime frytdhënëse, me gjëra të reja për t’u ndjekur në kohën e duhur”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të arrijnë paqe të qëndrueshme midis Rusisë dhe Ukrainës”, ka shtuar Vance para gazetarëve, pa dhënë detaje të tjera.
Zelensky e Vance u takuan në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih.
Së fundmi ka pasur lëvizje përpara për një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund luftës Ukrainë – Rusi. Presidenti amerikan Donald Trump ka biseduar në telefon me homologun rus, Vladimir Putin, rreth asaj se si mund t’i jepet fund konfliktit. Kjo nxiti edhe kritika nga zyrtarët evropianë dhe vetë Zelensky, i cili ka thënë se nuk mund të ketë marrëveshje për Ukrainën, pa Ukrainën.