Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke folur në një seancë me 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së të enjten ka thënë se është "mirënjohës" që Evropa ka ruajtur unitetin.
"Bota e ka parë efektivitetin e Evropës”, është shprehur Zelensky duke falënderuar liderët për hapjen e bisedimeve të pranimit me Ukrainën.
"Kjo është zgjedhja historike e Evropës. Unë jam i bindur se çdo komb evropian që ndan vlera të përbashkëta evropiane duhet të jetë pjesë e familjes evropiane. Kjo është e vërtetë për Ukrainën, kjo është e vërtetë për Moldavinë, për popujt e Ballkanit dhe Gjeorgjinë – jam i sigurt se do të vijë momenti i Gjeorgjisë. Dhe jam i sigurt se do të ketë vendime në lidhje me Bjellorusinë, sepse ajo është gjithashtu një komb evropian që duhet të jetë në një Evropë të bashkuar në të ardhmen”, ka deklaruar Zelensky.
Ai ka thënë se shpreson që hapat e anëtarësimit të mos vonohen.
“Ne shpresojmë që hapat e ardhshëm nuk do të vonohen. Ukraina është e gatshme të kalojë të gjithë hapat e nevojshëm”, ka thënë ai.
Presidenti theksoi gjithashtu nevojën për të përmbushur të gjitha premtimet, duke vënë në dukje financimin dhe logjistikën.
Zelensky ka folur gjithashtu për aftësitë e mbrojtjes ajrore dhe theksoi nevojën për të mbrojtur Kharkivin dhe qytete të tjera nga bombat ruse.
“Sulmet tona me rreze të gjatë dhe mbrojtja moderne ajrore janë çelësi për ndalimin e këtij terrori”, ka thënë ai.
Lidhur me asetet e ngrira ruse, presidenti ka thënë se është "mirënjohës" për vendimin e Evropës për t'i siguruar Ukrainës burime.
Ai gjithashtu bëri thirrje për forcimin e sanksioneve kundër Rusisë.
Presidenti Zelensky, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë nënshkruar gjatë samitit një marrëveshje sigurie me Ukrainën. Siç raportohet, marrëveshja demonstron mbështetjen e Evropës për vendin që lufton pushtimin e Moskës për të tretin vit.
LEXO EDHE: