Pushtimi rus në Ukrainë ka hyrë në ditën e dhjetë. Qindra civilë janë vrarë deri më tani si pasojë e sulmeve të pandërprera. Palët ukrainase dhe ruse kanë zhvilluar deri më tani dy runde bisedimesh por pa ndonjë marrëveshje konkrete. Pritet që së shpejti të zhvillohet edhe rundi i tretë
22:02 - “Nuk e di se si arritëm të mbijetojmë”
Ndërsa bombardimet në kryeqytetin ukrainas vazhdojnë, gjithnjë e më shumë njerëz paguajnë çmimin e luftës. Max dhe familja e tij ishin në banesën e tyre në Kiev kur u bombardua ndërtesa.
21:45 - S'ndalen bombardimet në disa qytete të Ukrainës
Ka pasur raporte për bombardime në një numër qytetesh të Ukrainës.
Bombardime të rënda janë raportuar në Irpin - një qytet në periferi veriperëndimore të Kievit.
Granatimet vazhdojnë gjithashtu në qytetin jugor të Mariupolit, ku armëpushimi i planifikuar për t'u mundësuar banorëve të largoheshin u ndërpre menjëherë pasi filloi.
Bombardimet të rënda goditën Kharkivin dhe Sumy në lindje gjatë natës.
Luftimet e ashpra në veri-perëndim të kryeqytetit Kiev rreth aeroportit kyç Hostomel vazhduan të shtunën.
Forcat ruse vazhdojnë përpjekjet për të rrethuar Kievin, i cili, së bashku me Kharkivin, mbetet nën kontrollin e Ukrainës pavarësisht bombardimeve të rënda.
19:59 - Videoja tregon grabitjet që bëhen në një qendër tregtare në qytetin e pushtuar
Një video tregon njerëz duke grabitur brenda një qendre tregtare në qytetin ukrainas të Mariupolit.
19:10 - Ukraina kërkon një raund tjetër sanksionesh kundër Rusisë
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka kërkuar një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë, raporton Reuters.
Ai tha se kishte një diskutim produktiv me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken dhe se hapat që ata ranë dakord ndoshta do të zbatohen në ditët e ardhshme.
Ai tha gjithashtu se korridoret humanitare nuk ekzistojnë në Ukrainë sepse Rusia ka shkelur marrëveshjet.
18:53 - Bennett e kishte lajmëruar SHBA-në për takimin me Putinin
Kryeministri izraelit Naftali Bennett është takuar me Vladimir Putin në Kremlin me bekimin e SHBA-së.
18:15 - Rusia dhe Ukraina zhvillojnë të hënën raundin e tretë të bisedimeve
Rusia dhe Ukraina do të mbajnë raundin e tretë të bisedimeve të hënën, raporton Reuters.
Negociatori ukrainas David Arakhamiya shkroi në një postim në Facebook se bisedimet për përfundimin e luftës do të rifillonin, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Të enjten, të dyja palët ranë dakord të hapin korridoret humanitare për të lejuar civilët të dalin nga disa zona luftimi. Megjithatë ka pasur vonesa në zbatimin e tyre.
17:46 - Kryeministri izraelit takon fshehurazi Putinin
Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, ka udhëtuar në mënyrë të fshehtë drejt kryeqytetit rus, Moskë, për ta takuar presidentin Vladimir Putin, raporton Reuters.
17:33 - Murali i “vëllait” Putin shfaqet në Beograd
17:20 - Rusia paralajmëron Britaninë: Nuk do ta harrojmë mbështetjen që i dhatë Ukrainës
Ministria e Jashtme e Rusisë ka lëshuar një deklaratë duke synuar ta “godasë” drejtpërdrejt qeverinë britanike për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës.
17:01 - Rusia merr kontrollin e një spitali psikiatrik
Forcat ruse kanë marrë kontrollin e një spitali psikiatrik me 670 persona brenda në qytetin Borodyanka në rajonin e Kievit të Ukrainës, tha guvernatori rajonal Oleksiy Kuleba.
16:33 - Pse është Mariupoli i rëndësishëm për luftën?
Granatimet e vazhdueshme të Mariupolit nga Rusia nënkuptonin që evakuimi i planifikuar - duke ofruar shpresën e largimit për mijëra banorë - duhej anuluar. Qyteti është nën zjarr të fortë prej ditësh. Por pse është kaq i rëndësishëm strategjikisht?
15:19 - Evakuimet e civilëve në Ukrainë nuk vazhdojnë sot
Evakuimet nga Mariupol dhe Volnovakha nuk do të ndodhin të shtunën, pas një armëpushimi të dështuar, ka bërë të ditur Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, organizatë kjo që ishte caktuar ta mbikëqyrte përkohësisht armëpushimin.
Më herët, këshilli i qytetit të Mariupolit raportoi se bombardimet kishin vazhduar rreth qytetit në kohqn kur banorët përgatiteshin të niseshin me autobusë, në orën 11:00 sipas kohës lokale
"Ne mbetemi në dialog me palët për kalimin e sigurt të civilëve nga qytete të ndryshme të prekura nga konflikti”, ka thënë Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në një deklaratë.
"Skenat në Mariupol dhe në qytete të tjera sot janë tronditëse. Çdo iniciativë nga palët që u jep civilëve një pushim nga dhuna dhe i lejon ata të largohen vullnetarisht për në zona më të sigurta është e mirëpritur”, ka shtuar kjo organizatë.
Ukraina thotë se plani ishte për të evakuuar 200,000 njerëz nga Mariupoli dhe 15,000 njerëz nga Volnovakha në total.
14:36 - Putin: Sanksionet e Perëndimit janë të ngjashme me shpallje të luftës
Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se sanksionet e Perëndimit për Rusinë janë të ngjashme me shpalljen e luftës, raportoi Reuters.
Ai ka thënë se Moska kishte nevojë t’i mbronte rusisht-folësit në lindje të Ukrainës ashtu si edhe interesin e vet.
Ka thënë se Rusia do që Ukraina të çmilitarizohet dhe të ketë status neutral.
14:18 - Transportuesi kryesor rus ndalon të gjitha fluturimet ndërkombëtare
Aeroflot, transportuesi kryesor i Rusisë, ka njoftuar se do të ndalojë të gjitha fluturimet ndërkombëtare përveç Bjellorusisë duke filluar nga 8 marsi, raporton Associated Press.
Kjo lëvizje vjen pasi agjencia e aviacionit të vendit, Rosaviatsiya, rekomandoi që të gjitha linjat ajrore ruse me avionë të huaj të marrë me qira të ndalojnë fluturimet e pasagjerëve dhe mallrave jashtë vendit, duke përmendur rrezikun e lartë që ata të konfiskohen si pjesë e sanksioneve perëndimore.
14:12 - Armëpushimi që ra ende pa nisur, ukrainasit detyrohen të strehohen ku të munden
Një armëpushim i arritur mes Rusisë dhe Ukrainës, për të lejuar civilët të evakuohen nga dy qytete juglindore të Ukrainës, është shkelur, vetëm disa orë pasi u njoftua.
Qyteti kryesor port i Mariupolit dhe qyteti më i vogël i Volnovakha, janë nën granatime jashtëzakonisht të rënda për disa ditë.
Por e shtuna filloi me një notë më pozitive, me njoftimin se civilët do të lejoheshin të largoheshin përgjatë rrugëve të dakorduara midis orëve 09:00 - 16:00 me kohën lokale. Një armëpushim duhej të ishte në fuqi në të njëjtën kohë.
Megjithatë, jo shumë kohë pasi filloi, pala ukrainase akuzoi trupat ruse se kanë përfituar nga armëpushimi për të avancuar pozicionet e tyre.
Pastaj pati raportime për luftime rreth qytetit të Orikhiv, i cili është në rrugën e daljes nga Mariupol.
Më pas, nënkryetari i bashkisë së Mariupolit dhe banorë të qytetit deklaruar se forcat ruse ende po bombardonin zonën.
Më në fund, këshilli i qytetit të Mariupolit njoftoi se evakuimi i civilëve ishte shtyrë sepse siguria e tyre nuk mund të garantohej më, për shkak të sulmeve të vazhdueshme.
Ndërkohë, ministria e Mbrojtjes e Rusisë thotë se armëpushimi u prish pasi "nacionalistët" ukrainas qëlluan mbi trupat e saj.

14:08 - Mijëra njerëz i bashkohen mbrojtjes së Ukrainës në qytetin Zaporizhia
Dhjetëra njerëz kanë shpërndarë video nga qyteti ukrainas Zaporizhia. Sipas mbishkrimeve të videove, mijëra njerëz janë bashkuar me forcat mbrojtëse të Ukrainës për ta mbrojtur kundër Rusisë.
Një nga ta është kryesuesja e qendrës së Veprimit Anti-Korrupsion në Ukrainë, Daria Kaleniuk, e cila ka një kërkesë për BE-në dhe SHBA-në.
“E vetmja gjë që i kërkojmë partnerëve BE dhe SHBA janë avionët luftarakë dhe mbrojtja ajrore, pjesën tjetër do ta bëjmë vetë”.
In Zaporizhia, the city of Cossack glory, thousands came to join territorial defence forces to protect Ukraine from Russian invaders. The only thing we ask our EU&US partners for is fighter jets and air defence, we`ll do the rest ourselves. #ProtectUАSky #UkrainianVictory pic.twitter.com/82VNRsFFab
— Daria Kaleniuk (@dkaleniuk) March 5, 2022
13:41 - Të shtëna armësh mes protestës së ukrainasve në Khersonin e pushtuar nga rusët
Në qytetin Kherson të Ukrainës, të cilin e kanë marrë nën kontroll trupat ruse, qytetarët kanë dalë në rrugë për të protestuar, derisa janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.
Për këtë protestë ka shkruar edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Në një postim në Tëitter, Kuleba ka thënë se Khersoni po e frymëzon Ukrainën dhe gjithë botën.
“Kherson i guximshëm frymëzon Ukrainën dhe botën! Mijëra ukrainas paqësorë protestojnë kundër pushtimit rus përpara ushtarëve të armatosur rusë. Çfarë shpirti. I bëj thirrje të gjithëve në mbarë globin: shprehni mbështetjen tuaj për ukrainasit e patrembur në Kherson!”, ka shkruar Kuleba.
Courageous Kherson inspires Ukraine and the world! Thousands of peaceful Ukrainians protest Russian occupation in front of armed Russian soldiers. What a spirit. I call on everyone around the globe: express your support for the fearless Ukrainians in Kherson! #CourageousKherson pic.twitter.com/olZoMs6ebm
— Dmytro Kuleba (@DmytroKuleba) March 5, 2022
13:30 - Është raportuar se Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës ka vrarë një anëtar të ekipit të negociatorëve, i dyshuar për tradhti.
Sipas Ukrainska Pravda, burri u vra gjatë përpjekjes për ta arrestuar.
Thuhet se ka “prova të fuqishme” se ai po i jepte informacione Rusisë.
13:20 - Rusia pretendon se Ukraina pengoi evakuimin e civilëve
Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit dhe një banor i qytetit i kanë thënë BBC-së mëngjesin e së shtunës se Rusia vazhdoi të bombardonte zonën pavarësisht nga një armëpushim i supozuar që fillon në 07:00.
Por ministria ruse e Mbrojtjes ka një version shumë të ndryshëm të ngjarjes.
Ajo ka thënë se "nacionalistët" ukrainas i penguan civilët të largoheshin nga dy qytetet, Mariupol dhe Volnovakha, ku ishte paraparë të zbatohej armëpushimi, sipas agjencisë ruse të lajmeve Ria.
Kjo ministri ka thënë se forcat ruse u sulmuan pasi kishin ngritur korridore humanitare për civilët që të largoheshin nga qyteti.
13:14 - Numri i refugjatëve ukrainas mund të rritet në 1.5 milionë
12:12 - Shkelet armëpushimi, shtyhet evakuimi i Mariupolit
Evakuimi i civilëve nga Mariupol është shtyrë, sipas këshillit të qytetit Mariupol.
Këshilli thotë se pala ruse nuk e ka respektuar armëpushimin e përkohshëm në fuqi.
Sipas tij, banorët duhet të shpërndahen dhe të gjejnë vende strehimi, dhe se më shumë informacion do të jepet së shpejti.
Pak minuta më parë nënkryetari i bashkisë së qytetit i tha BBC-së se Mariupol ende po bombardohej dhe ka gjithashtu raporte se luftimet po vazhdojnë afër fundit të rrugës së evakuimit.
12:04 - Ushtria ukrainase rikthen nën kontroll aeroportin Kulbakino në Mykolaev
Ushtria e Ukrainës ka rikthyer nën kontroll aeroportin Kulbakino, në Mykolaev.
Ndërkohë, sot ka nisur evakuimi i popullatës në dy qytete, Mariupol dhe Volnovakha, pas armëpushimit të vendosur për t’u kryer ky proces.
Ukraina planifikon që mbi 200 mijë njerëz të evakuohen nga këto dy qytete nëse armëpushimi mbetet sipas planifikimeve.
Ndërkaq, presidenti Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga të gjithë ata që munden, të qëndrojnë në shtetin e tyre dhe të luftojnë kundër pushtuesit rus.
11:54 - Trupat ukrainase kapin tanket ruse në Kharkiv
Fotografitë më të reja japin pamje të situatës në rajonin e Kharkiv-it siç ishte të premten, pas ditëve të luftimeve të ashpra dhe granatimeve ruse.
Në këto fotografi trupat ukrainase qëndrojnë pranë tankeve ruse të kapur, të cilat i kanë lyer me ngjyrat e flamurit ukrainas.
Deri më tani, kuptohet se Kharkiv mbetet nën kontrollin e Ukrainës. Megjithatë, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës ka të ngjarë të rrethohet nga forcat armike.
11: 46 - Ukraina planifikon t’i evakuojë mbi 210 mijë njerëz nga Mariupoli dhe Volnovakha
11:37 - Kremlini: Perëndimi po sillet si bandit
Udhëheqësit perëndimorë "po sillen si banditë", kanë deklaruar zyrtarë nga Kremlini.
11:31- Zelensky bisedon me Ramën, e falënderon për mbështetjen e Shqipërisë
11:21 - Ukraina thotë se armëpushimi nuk po zbatohet plotësisht
Marrëveshja për armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës për të lejuar civilët të largohen nga qyteti Mariupol nuk është duke u zbatuar plotësisht, sipas këshillit të qytetit.
Në një mesazh në Telegram, këshilli ka thënë se lufta po bëhet në rajonin Zaporizhzhia, aty ku korridori humanitar përfundon.
Zyrtarët ukrainas po negociojnë me palën ruse për të konfirmuar armëpushimin e përkohshëm përgjatë tërë rrugës së evakuimit.
11:10 - Zelensky bën thirrje për qëndrim në Ukrainë dhe luftim
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka konfirmuar se korridoret humanitare janë në vend për të lejuar që ata në dy qytetet, Mariupol dhe Volnovakha të largohen.
Megjithatë, ai tha se ata që munden duhet të "vazhdojnë të luftojnë".
"Ne arritëm një marrëveshje për të ofruar ndihmë për ato qytete në Ukrainë që janë në situatën më të rëndë dhe më të keqe, Mariupol dhe Volnovakha, për të shpëtuar fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Për të siguruar mjekim dhe ushqim atyre që qëndrojnë në ato vende. Ata njerëz që dëshirojnë të largohen nga këto vende duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë tani duke përdorur korridorin humanitar, por ata që munden duhet të vazhdojnë të luftojnë. Ne bëjmë gjithçka që mundemi nga ana jonë për t'u siguruar që kjo marrëveshje të funksionojë, në lidhje me korridoret humanitare dhe do të shohim nëse mund të shkojmë edhe më tej në negociatat tona me Rusinë”, ka thënë Zelensky.
Zelenskyy ka pyetur së fundmi se "çfarë nevojitet më shumë" për të bindur Joe Biden për të zbatuar një zonë ndalim-fluturimi. Ai pretendoi se 74% e amerikanëve pajtohen se kjo është e nevojshme.
Ai përshëndeti gjithashtu përpjekjet e Polonisë, e cila ka pranuar më shumë se 600,000 refugjatë që kur trupat ruse pushtuan Ukrainën, më 24 shkurt.
10:17 - Deri në 9,000 njerëz mund të largohen nga Mariupoli nëse armëpushimi qëndron
Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, ka thënë për BBC-në se deri në 9,000 qytetarë të Mariupolit mund të evakuohen gjatë ditës së shtunë, nëse armëpushimi nga ana ruse qëndron.
"Ne filluam menjëherë procedurën tonë për të provuar të nxjerrim njerëzit jashtë. Kemi rregulluar 50 autobusë dhe mendojmë se 5-6000 njerëz mund të dalin me autobus për në Zaporizhzhia. Njerëzit mund të largohen edhe me makinë private, ne besojmë. Mendojmë se gjithsej 7-9000 njerëz mund të ikin me autobus dhe me vetura private, nëse armëpushimi qëndron. Nuk ka trena që qarkullojnë sepse infrastruktura hekurudhore është shkatërruar nga trupat ruse”, ka thënë Orlov.
Ai ka shtuar se nuk kanë garanci nga pala ruse se armëpushimi do të vazhdojë edhe të dielën.
10:05 - Filloi evakuimi i Mariupolit
Evakuimi i civilëve nga Mariupol ka filluar, sipas afatit kohor të dhënë nga këshilli i qytetit.
Autobusët janë organizuar për të lëvizur njerëzit në siguri nga tre lokacione në qytet, duke filluar nga ora 11:00 me orën lokale.
Banorëve u është thënë gjithashtu se ata mund të përdorin transportin e tyre për të udhëtuar në mënyrë të sigurt përgjatë një rruge specifike në veri-perëndim, për në qytetin e Zaporizhzhia gjatë armëpushimit, i cili zgjat nga ora 09:00-16:00 me kohën lokale.
Mariupol është bllokuar prej disa ditësh nga forcat ruse. Armëpushimi është gjithashtu në vend rreth qytetit të vogël të Volnovakha.
09:57 - Rreth 10 mijë ushtarë rusë janë vrarë brenda 10 ditëve në Ukrainë
Forcat e armatosura të Ukrainës kanë bërë të ditur se që nga 24 shkurti e deri më 5 mars, rreth 10,000 trupa ruse janë vrarë në luftën me Ukrainën.
Ndërkohë, Moska thotë se numri i trupave ruse të vrarë është 498.
Ukraina vlerëson se humbjet ruse përfshijnë gjithashtu: 269 tanke, 105 sisteme artilerie, 39 avionë, 40 helikopterë dhe 409 automjete.
09:38 - Korridoret e evakuimit po përgatiten për hapje në Mariupol dhe Volnovakha
Në disa pjesë të Ukrainës po përgatiten korridoret e evakuimit, ka thënë të shtunën Mykhailo Podoliak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
"Në Mariupol dhe Volnovakha po përgatiten për hapje korridoret e evakuimit humanitar, po krijohen kolona nga ata që janë subjekt evakuimi. Palët pushuan përkohësisht zjarrin në zonën e korridoreve," ka thënë Podoliak në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.
Më herët të shtunën, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se do të ndalojë bombardimet e Mariupolit dhe Volnovakha-s për të lejuar që civilët të largohen në mënyrë të sigurt nga shtëpitë e tyre.
Zyrtarët perëndimorë kanë vënë re një zhvendosje në strategjinë ruse nga objektivat ushtarake te civilët, me më shumë sulme të fokusuara në qendrat e popullsisë.
Ndërkohë, Rusia është gati të vendosë deri në 1000 mercenarë të tjerë në Ukrainë në ditët dhe javët e ardhshme, pasi një zyrtar i lartë i inteligjencës perëndimore paralajmëroi se Moska mund të "bombardojë qytetet në nënshtrim", një përshkallëzim që mund të çojë në një numër më të madh të viktimave civile.
09:08 - Më pak sulme ajrore gjatë 24 orëve të fundit në Ukrainë
Më pak sulme ajrore, por Rusia ende po përparon - Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar
Më pak sulme ajrore dhe artilerie ruse ka pasur gjatë 24 orëve të fundit sesa në ditët e mëparshme, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në përditësimin e saj të rregullt të Inteligjencës.
Por ministria ka paralajmëruar se forcat ruse ndoshta po përparojnë në qytetin port jugor të Mykolayiv.
Megjithatë, kjo ministri thotë se ka një "mundësi realiste" që disa forca të anashkalojnë Mykolayiv për t'i dhënë përparësi përparimit drejt një porti tjetër, Odesa.
Sipas inteligjencës ukrainase, Ukraina vazhdon t’i mbajë qytetet Kharkivi, Chernihiv dhe Mariupol, ndërsa ka pasur raporte për luftime në rrugë në qytetin verilindor të Sumyt.
Ka shumë të ngjarë që të katër qytetet të jenë të rrethuara nga forcat ruse, ka thënë Ministria e Mbrojtjes.
08:43 - Gazetarja në Ukrainë thotë se Kievi nuk është i rrethuar, por ata që dalin mund të qëllohen nga rusët
Olga Tokariuk, gazetare e pavarur, ka përshkruar qëndresën e ukrainasve përballë sulmeve të vazhdueshme nga forcat ruse në qytete.
Është ende e mundur të largohesh nga kryeqyteti, shkroi ajo në Twitter, por ata që udhëtojnë rrezikojnë të qëllohen nga rusë.
“Dita e dhjetë e rezistencës së Ukrainës. Shumë njerëz me guxim dalin për të protestuar në qytetet jugore të pushtuara përkohësisht nga rusët. Kharkiv, Mariupol nën granatime të rënda. Kievi nuk është i rrethuar, njerëzit mund të dalin nga qyteti, por rusët qëllojnë mbi civilët. Raketat ende bien shi nga qielli”, shkroi ajo.
08:42 - Ukraina konfirmon armëpushimin e përkohshëm në dy qytete
Ukraina e ka konfirmuar armëpushimin e përkohshëm dhe korridoret humanitare në dy qytete juglindore të Ukrainës nga ministria ruse e mbrojtjes, e cila tha se ishte rënë dakord me palën ukrainase.
Lajmin e ka konfirmuar kreu i administratës ushtarake të rajonit Donetsk, Pavlo Kirilenko.
Ai konfirmon armëpushimin e përkohshëm nga ora 09:00 me orën lokale, dhe thotë se administrata e tij aktualisht po punon për detajet e evakuimit.
Armëpushimi do të fillojë nga ora 09:00 deri në 16:00 sot, sipas njoftimit. Dhe evakuimi i civilëve do të fillojë nga ora 11:00.
08:14 - Më shumë se 1.2 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina
08:05 - Rusia shpall korridoret humanitare për dy qytete të Ukrainës
Ministria ruse e mbrojtjes ka shpallur korridoret humanitare për dy qytete të Ukrainës.
Kjo ministri ka bërë të ditur se korridoret humanitare do të hapen në orën 10:00 me orën e Moskës të shtunën, nga qytetet Mariupol dhe Volnovakha.
Një "regjim qetësie" do të zbatohet që popullata civile të largohet nga qytetet dhe është rënë dakord me autoritetet ukrainase, ka thënë ministria e mbrojtjes sipas mediave ruse.
Megjithatë, lidhur me këtë nuk ka ende ndonjë konfirmim nga pala ukrainase.
Më herët, kryebashkiaku i Mariupolit, Vadym Boichenko, ka bërë thirrje për një korridor humanitar mes një bllokade të vazhdueshme dhe atyre që ai i ka quajtur "sulme të pamëshirshme" nga trupat ruse.
07:29 - Kryebashkiaku i Mariupolit bën thirrje për korridor humanitar
Vadim Boychenko thotë se Mariupoli ka pësuar "një tjetër ditë të vështirë", me banorët që vuajnë nga "sulmet e pamëshirshme".
Ai po bën thirrje që të krijohet një korridor humanitar në mënyrë që ushqimi dhe ilaçet të mund të dërgohen në qytet.
07:14 - Zelensky – NATO: Ata që vdesin, vdesin për shkakun tuaj
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kritikuar NATO-n për refuzimin e saj për të zbatuar një zonë ndalim-fluturimi mbi vend.
Zelensky i ka thënë NATO-s se ata që vdesin në Ukrainë vdesin për shkak të saj.
"Të gjithë njerëzit që vdesin nga kjo ditë e tutje do të vdesin gjithashtu për shkakun tuaj, për shkak të dobësisë suaj, për shkak të mungesës suaj të unitetit. Gjithçka që aleanca mundi të bënte sot ishte të kalonte përmes sistemit të saj të prokurimit 50 tonë naftë për Ukrainën. Ndoshta, në mënyrë që të mund të digjnim memorandumin e Budapestit”, ka thënë Zelensky.
Kjo është një referencë për garancitë e sigurisë të vitit 1994 të dhëna Ukrainës në këmbim të tërheqjes së armëve të saj bërthamore të epokës sovjetike.
“Ne besojmë se vendet anëtare të NATO-s i kanë krijuar vetes një narrativë se mbyllja e hapësirës ajrore në Ukrainë do të provokonte agresion të drejtpërdrejtë nga Rusia kundër NATO-s. Është hipnozë e vetë-induktuar e atyre që janë të dobët dhe nuk kanë besim. Edhe pse ata mund të kenë krahë më të fortë se tanët”, ka shtuar ai.
Zelensky ka hedhur dyshimet e tij nëse NATO-ja është në gjendje të mbrojë anëtarët e saj.
“Nuk do të mund të na paguani me litra karburant për litrat e gjakut tonë, të derdhur për Europën tonë të përbashkët dhe lirinë e përbashkët”, është shprehur presidenti Ukrainas.