Botë

Zelensky: Mbi 901 bombardime ruse në pak orë, sulme me armatim të rëndë ushtarak

Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dalë me raport mbi zhvillimet në fushëbetejat, duke thënë se trupat ruse s’janë ndaluar me sulme as në ditën që si rusët, ashtu edhe ukrainasit, po festojnë Pashkët.

Ai ka shkruar në rrjetin social X se që nga orët e hershme të së dielës deri në orën 16:00, janë regjistruar 46 sulme në drejtime të ndryshme, e 901 bombardime janë shkaktuar.

Sipas Zelenskyt, 448 sulme janë kryer nëpërmjet armatimit të rëndë ushtarak, derisa janë dokumentuar mbi 400 raste të përdorimit të dronëve FPV nga trupat ruse.

“Shkalla më e lartë e aktivitetit luftarak rus gjatë Pashkëve është regjistruar në drejtimin e Pokrovskut. Fjalët e Putinit për një ‘armëpushim’ kanë rezultuar gjithashtu boshe në rajonin e Kurskut, në drejtimin e Siverskut, si dhe në drejtime të tjera të rajonit të Donetskut. Në drejtimin e Toretskut, trupat tona, fatkeqësisht, ranë në një pritë ruse. Disa ushtarë janë vrarë. Ushtarët rusë përgjegjës për këtë do të eliminohen”, ka shkruar presidenti ukrainas.

Ai ka shtuar se ushtria e tij është në veprim dhe do të vazhdojë të veprojë “në mënyrë tërësisht simetrike”.

“Kjo Pashkë ka treguar qartë se burimi i vetëm i kësaj lufte, dhe arsyeja pse ajo vazhdon, është Rusia. Ne jemi të gatshëm të ecim drejt paqes dhe një armëpushimi të plotë, pa kushte dhe të ndershëm që mund të zgjasë të paktën 30 ditë – por deri tani nuk ka pasur asnjë përgjigje nga Rusia. Situata në vijën e frontit tregon se nevojitet presion ndaj Moskës dhe një mbikëqyrje e vërtetë e veprimeve të forcave pushtuese për të vendosur armëpushimin”, ka shtuar Zelensky.

Presidenti ukrainas i ka shtuar thirrjet për armëpushim me homologun rus, Vladimir Putin, prej shkurtit kur pati vizitë në Shtëpinë e Bardhë. Atje u kritikua ashpër nga presidenti amerikan, Donald Trump.