Botë

Zelensky mbërrin në forumin e sigurisë në Singapor

Zelensky

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbërriti të shtunën në një mbledhje të zyrtarëve të lartë të sigurisë në Singapor.

Shkuarja e Zelenskyt në forumin e mbrojtjes “Shangri-La” erdhi pasi zyrtarët në Ukrainë thanë se Rusia kishte goditur infrastrukturën energjetike të vendit me një sulm me dronë dhe raketa në shkallë të gjerë, duke lënduar të paktën 19 persona.

Ushtria ukrainase raportoi se kishte rrëzuar 35 nga 53 raketat e lëshuara në objektiva në të gjithë vendin gjatë natës më 1 qershor, si dhe 46 nga 47 dronë sulmues, raporton AP.

Në fillim të kësaj jave, presidenti i SHBA-së,  Joe Biden, i dha Ukrainës dritën jeshile për të përdorur armët amerikane për të goditur brenda Rusisë për qëllimin e kufizuar të mbrojtjes së Kharkivit. Të njëjtën e bëri edhe Gjermania.

Ndërkaq, mbështetje më e madhe për përdorimin e armëve perëndimore për Ukrainën kundër Rusisë është vërejtur kohët e fundit pas sulmeve intensive në Kharkiv.