Botë

Zelensky: Kemi arritur rezultate të prekshme në rajonin e Kharkivit

Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se ushtria ukrainase po arrin “rezultate të prekshme” në rajonin verilindor të Kharkivit, ku ushtria ruse ka qenë në ofensivë që nga 10 maji.

“Në rajonin e Kharkivit, forcat tona po shkatërrojnë pushtuesin, rezultatet janë të prekshme”, ka thënë Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes të martën.

Që nga fillimi i ofensivës, forcat ruse kanë arritur të marrin kontrollin e shumë vendeve në zonën që kufizohet me Rusinë dhe kanë detyruar Kievin të dërgojë përforcime, në një kohë kur ushtria ukrainase ka mungesë të fuqisë njerëzore dhe pajisjeve.

Më herët, Zelensky u shpreh se ofensiva ruse në Kharkiv mund të jetë “vala e parë” e një ofensive më të gjerë për të kapur Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë javën e kaluar se qëllimi është krijimi i një “zone tampon” në territorin ukrainas, për të ndaluar bombardimet ukrainase të zonave kufitare ruse.

Zëdhënësi i forcave ukrainase në rajonin e Kharkivit, Nazar Volochin, ka thënë sot se Kievi arriti të “stabilizojë situatën në atë zonë, veçanërisht në qytetin Vovchansk”, i cili është në qendër të luftimeve.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës njoftoi pasditen e sotme se luftimet po vazhdojnë në veri të qytetit Vovchanskit dhe se situata është nën kontroll.