Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se tani janë 730 ditë më afër fitores, gjatë një fjalimi të tij nga Hostomel, vendi i betejës së parë të madhe të luftës.
Ai ka reflektuar mbi dy vjetët që kanë kaluar, që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës, raportoi BBC.
Zelensky ka thënë se dy vjet më parë "ne u përballëm me zbarkimin armiqësor me zjarr këtu", por dy vjet më vonë "ne mirëpresim miqtë dhe partnerët tanë këtu".
"Ne jemi 730 ditë më afër fitores”, është shprehur ai, duke u kërkuar ukrainasve që të vazhdojnë të luftojnë se në fund do të fitojnë.
“Aeroplanin mund ta djegësh, por ëndrrën tonë nuk mund ta shkatërrosh, ëndrrën me të cilën secili prej nesh ka 730 ditë që bie në gjumë dhe zgjohet. Askush nga ne nuk do të lejojë që Ukraina jonë të përfundojë”, ka shtuar Zelensky.
Disa prej liderëve botërore kanë mbërritur të shtunën në Kiev, në ditën kur janë mbushur dy vjet nga fillimi i luftës në Ukrainë.