Botë

Zelensky i kërkon Trumpit garanci sigurie në planin e tij për fundin e luftës

Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do të ishte i gatshëm për bisedime të paqes në çdo format nëse ai e kupton se Amerika dhe Evropa nuk do ta braktisin.

Sipas tij, plani i presidentit amerikan, Donald Trump për një zgjidhje të shpejtë në Ukrainë jo vetëm që duhet të ndalojë luftën, por gjithashtu të ofrojë garanci që nuk mund të ketë më agresion rus, raporton The Guardian.

Në një intervistë të dielën mbrëma për ITV të Britanisë, Zelensky është shprehur se Ukraina nuk do që të përsëritet përvoja e marrëveshjeve të paqes dhe bisedimeve që dështuan të jepnin rezultate në vitet që pasuan, deri në pushtimin në shkallë të plotë të Moskës në shkurt të vitit 2022. Ai ka thënë se kjo nënkupton vendosjen e garancive të sigurisë.

“Një konflikt i ngrirë do të çojë në më shumë agresion përsëri dhe përsëri. Atëherë kush do të fitojë çmime dhe të hyjë në histori si fituesi? Askush. Do të jetë një humbje absolute për të gjithë, si për ne, siç është e rëndësishme, ashtu edhe për Trumpin”, ka thënë Zelensky.

“Nëse do të kisha kuptuar se Amerika dhe Evropa nuk do të na braktisin dhe do të na mbështesin dhe do të jepnin garanci sigurie, do të isha gati për çdo format për bisedime”, ka shtuar ai.

Komentet u transmetuan pak pasi Trumpi ka treguar se ka qenë në kontakt me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe se po bëhej përparim në bisedimet për t'i dhënë fund luftës. 

Kjo shënon bisedën e parë të pranuar zyrtarisht midis Putinit dhe një presidenti amerikan që nga fillimi i vitit 2022. 

“E kam pasur. Le të themi se e kam pasur ... Dhe pres të kem shumë biseda të tjera. Ne duhet të bëjmë që ajo luftë të përfundojë”, ka thënë Trump kur është pyetur nga gazetarët në bordin e Air Force One të dielën nëse ai kishte zhvilluar bisedë me Putinin që kur është bërë president më 20 janar ose më parë.