Botë

Zelensky i kërkon Bidenit të jetë prezent në samitin e paqes në Zvicër

Volodymyr Zelensky dhe Joe Biden

Volodymyr Zelensky dhe Joe Biden

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar presidentit amerikan, Joe Biden që të marrë pjesë në samitin e paqes i cili do të mbahet nga mesi i qershorit në Zvicër.

Zelensky ka thënë se abstenimi i mundshëm i aleatëve kyç “do të duartrokitej nga Putini, dhe do të ishte një ovacion për të”, raporton BBC.

Raportohet se presidenti Biden dhe zëvendëspresidentja, Kamala Harris do të mungojnë në samit.

Ndonëse SHBA-ja do të ketë përfaqësim në këtë ngjarje, mungesa e presidentit do të ishte një goditje e madhe për Ukrainën. 

Samiti i cili është planifikuar që disa muaj, do të mbahet në hotelin luksoz me pesë yje “Bürgenstock”, i cili ndodhet sipër liqenit të bukur të qytetit Luzern. Vendimi për mbajtjen e tij ka ardhur pasi Zelenesky i kishte kërkuar ish-presidentit zviceran, Alain Berset që Zvicra si një shtet neutral ta mbante një ngjarje të tillë.  

Dyshimi mbi pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara, dhe veçanërisht për praninë e presidentit Biden, shihet si një goditje e madhe për Ukrainën. 

Derisa trupat ruse po bëjnë përparime në javët e fundit, presidenti Zelensky ka nevojë për një ngjarje të madhe, si një samit në Zvicër, për të treguar se bota është ende në anën e Ukrainës. 

Washingtoni thotë se e mbështet takimin, por nuk është zotuar ende të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë. 

Qeveria zvicerane ka ftuar më shumë se 160 vende dhe thotë se qëllimi i samitit është "të sigurojë një forum ku liderët botërorë diskutojnë rrugët drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së". 

Por ka pengesa të dukshme në rrugën e suksesit të samitit, ndër to fakti që vendi që filloi luftën, Rusia, nuk do të jetë atje. 

Zvicra thotë se Moska zyrtare nuk është ftuar, ndërsa Kremlini thotë se nuk do të merrte pjesë gjithsesi. 

Rusia është e zemëruar me Zvicrën për vendosjen e sanksioneve. Zviceranët kanë ngrirë rreth 14 miliardë dollarë në asete ruse.