Botë

Zelensky i gatshëm të bisedojë me Putinin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka theksuar gatishmërinë për të negociuar drejtpërdrejt me presidentin rus Vladimir Putin, për sa kohë që do të ishte e vetmja formë që mund të “sjellë paqe për qytetarët e Ukrainës dhe të mos vdesin njerëzit”.

I pyetur gjatë intervistës me gazetarin britanik Piers Morgan se çfarë ndiente për mundësinë që të ulet përballë Putinin në tavolinën e bisedimeve, Zelensky u shpreh: “Nëse kjo është e vetmja formë me të cilin ne mund të sjellim paqe për qytetarët e Ukrainës dhe të mos humbasim njerëz, patjetër që ne do të shkojmë”.

Zelensky tutje ka thënë se formati i tillë do t’i kishte katër pjesëmarrës, por pa specifikuar se kush do të ishin ata.

Në një intervistë gjatë fundjavës, presidenti ukrainas ka thënë se në bisedime do donte ta shihte edhe një zë të Bashkimit Evropian, bashkë me SHBA-në.

Por ai pati shtuar se bisedimet e tilla do duhej të ndodhnin pas një takimi të tij me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

“Unë nuk do të jem i sjellshëm me të, e konsideroj armik. Të jem i sinqertë, mendoj se edhe ai më konsideron armik”, u shpreh Zelensky për Putinin.

Në intervistën e së martës, presidenti ukrainas pranoi se vendi i tij ka të ngjarë të humbasë të paktën një pjesë të territorit që është marrë nga Rusia që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022.

Në një kritikë të ashpër ndaj aleatëve të Ukrainës në luftë, Zelensky u ankua se “për fat të keq, mbështetja që ofrohet nga partnerët tanë është e pamjaftueshme për ta shtyrë Putinin plotësisht nga territoret tona”.

Megjithatë, ai e sheh anëtarësimin në NATO si shansin më të mirë të Ukrainës për t’i dhënë fund luftës dhe garantuar sigurinë e vendit.

Trump, veprimet e ardhshme të të cilit do të jenë kyçe për përcaktimin e rezultatit të luftës, ka thënë gjatë një konference për shtyp të martën se SHBA-ja “po flet me rusët dhe udhëheqjen ukrainase”, pa dhënë detaje të tjera.

Javën e kaluar, Putini ka thënë se Rusia do të ishte e hapur për bisedimet e paqes, por hodhi fajin kah pala ukrainase. Ai gjithashtu e përshkroi Zelenskyn si “jo legjitim” për të udhëhequr bisedimet e mundshme.