Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se 80 për qind e gjenerimit termik në Ukrainë dhe 1/3 e gjenerimit të hidrocentraleve janë shkatërruar nga Rusia deri më tani, duke shtuar se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të ndalet me kaq.
Në konferencën e së martës në Berlin, Zelensky u shpreh pas takimit me kancelarin Olaf Scholz, se ka kërkuar ndihmë nga shteti gjerman për rimëkëmbje, duke theksuar se ndihma u duhet ukrainasve për të ruajtur jetën normale.
Zelensky njoftoi se piku i konsumit të energjisë dimrin e kaluar ishte 18 GW dhe “gjysma e kësaj tashmë është shkatërruar nga Rusia”.
“Ne gjithashtu duhet të zbatojmë një restaurim të shpejtë dhe të lirë të të gjitha objekteve energjetike që mund të restaurohen para dimrit. Ne dimë se si ta sigurojmë këtë...Po ju kërkojmë pajisje nga termocentralet tuaja dhe mbështetje direkte financare. Kjo do të na lejojë t'i përgjigjemi situatës këtu dhe tani”, ka theksuar Zelensky, raportoi “Kyivindependent”.
Ai ka shtuar se Kievi planifikon të nënshkruajë qindra marrëveshje me vlerë miliarda euro me partnerë në sektorë të mbrojtjes dhe energjisë.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se Ukraina do t'i marrë 1.6 miliardë dollarë të ardhura nga asetet e ngrira ruse.
Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se Berlini do të dërgojë sistemin e tretë të mbrojtjes ajrore, Patriot, si dhe sisteme anti-ajrore IRIS-T dhe Gepard, raketa dhe municione.
Zelensky në Gjermani për të diskutuar rindërtimin e Ukrainës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në Gjermani për të marrë pjesë në konferencë ndërkombëtare ku do të diskutohet rindërtimi i Ukrainës nga dëmet e luftës.
Zelensky do të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe me liderë të tjerë të shtetit, derisa konferenca në Berlin do të jetë pjesë e një sërë samitesh për Ukrainën, raportoi “Kyivindependent”.
Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës 2024, e organizuar në Berlin, do të mbledhë zyrtarë qeveritarë, kompani e organizata për t'i adresuar nevojat e vazhdueshme të Ukrainës për rindërtim, duke u fokusuar kryesisht në infrastrukturën energjetike.
“Përballë terrorit ajror të Rusisë, zgjidhjet urgjente për sektorin energjetik të Ukrainës do të jenë prioriteti ynë”, është shprehur Zelensky.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, Zelensky gjithashtu planifikon të vizitojë një bazë ushtarake ku stërviten ushtarakët ukrainas. Vizita e Zelenskyt në Gjermani vjen menjëherë pasi Berlini ia lejoi Kievit zyrtar t'i përdorë armët gjermane për të goditur objektiva brenda territorit rus.
Kjo vizitë do të pasohet me një Samit G7 në Itali, e pastaj një konferencë në Zvicër.