Botë

Zelensky i bindur se Ukraina do të ketë më tepër përkrahje nga SHBA-ja

Presidenti i Ukraines, Volodymyr Zelensky

Voldymyr Zekensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se ai është i sigurt se SHBA-ja do ta mbajë premtimin dhe do të ofrojë ndihmë tjetër për Kievin në vlerë miliarda dollarë për luftën kundër Rusisë, raporton agjencia “AP’.

Zelensky u përgjigj me një “jo”, kur u pyet nëse shteti i tij mund ta humbë luftën.

Duke folur në një konferencë për fundvit në Kiev, Zelensky po ashtu ka kundërshtuar sugjerimet se trupat ruse kanë ngadhënjyer gjatë vitit 2023, duke ndaluar kundërofensivën e Ukrainës.

“Rusia ka dështuar t’i arrijë synimet këtë vit”, ka thënë Zelensky, ndonëse e ka pranuar se forcat ukrainase ende po përballen me shumë sfida.

Kongresi i SHBA-së ka shkuar në pushime pa miratuar një pako të re të ndihmës prej 61 miliardë dollarë për Ukrainën dhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka thënë se ka mbetur gati pa para për ta ndihmuar Kievin pas afro 22 muajve luftë. Bashkimi Evropian, po ashtu ka shtyrë për vitin 2024 planin për ta ndihmuar Ukrainën me 54.5 miliardë dollarë, ndihmë ushtarake, pas vetos që e ushtroi kryeministri hungarez Viktor Orban.

Por, Zelensky ka insistuar se nuk është i shqetësuar.

“Jam i bindur se SHBA-ja nuk do të na lë në lloç dhe ajo që u dakorduam me SHBA-në do të përmbushet”, ka thënë Zelensky.

Përkrahja nga Perëndimi ka qenë kyçe në luftën e Ukrainës kundër Rusisë, dhe SHBA-ja ka ofruar ndihmën më të madhe.

Ukraina ka marrë ndihmë shtesë me sisteme tokë-ajër “Patriot” dhe sisteme anti-raketore të avancuara “NASAMS” nga SHBA-ja, duke ofruar mbrojtje kundër raketave ruse, ka thënë Zelensky.

Zelensky ka thënë se këto armë do të ndihmojnë të neutralizohen sulmet ruse gjatë dimrit.

Derisa Zelensky është treguar optimist për ndihmë tjetër ushtarake dhe financiare nga shtetet e BE-së, ai ka thënë se është më pak optimist për gjasat që Ukraina t’i bashkohet NATO-s.

“NATO është opsioni më i fuqishëm për ne. Por, ne nuk jemi ftuar ende në NATO. Gjithë ato sinjale për anëtarësimin tonë janë marrëzi. Ne nuk kemi pasur një ofertë solide, nga asnjë prej partnerëve tanë. Është e vështirë të mendohet se si mund të ndodhë në këtë moment”, tha Zelensky.

Zelensky ka thënë se Ushtria e Ukrainës po synon t’i mobilizojë 500 mijë trupa shtesë.

Një mobilizim i tillë do t’i kushtojë Ukrainës afro 13.4 miliardë dollarë.

Sipas statistikave të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, Ushtria e Ukrainës në tetor ka pasur afro 800 mijë trupa. Këtu nuk përfshihet Garda Kombëtare apo njësitë tjera. Në total, llogaritet se janë afro 1 milionë ukrainas në uniforma.

Më herët këtë muaj, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar të rritet numri i trupave ruse për afro 170 mijë, për të çuar në total prej 1.32 milionë.

Putini të martën tha se forcat e Kremlinit kanë marrë iniciativën në Ukrainë dhe janë në pozitë mjaft të mirë për vitin që vjen.

“Ne jemi duke bërë atë që mendojmë se duhet, atë që duam”, ka thënë Putin.

Mirëpo, Zelensky ka insistuar se Moska ka dështuar të okupojë më tepër territor të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të plotë më 24 shkurt të vitit 2022.