Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur frikën se territori ukrainas është bërë “terren testimi” për armët e ndryshme ruse. Në një deklaratë të lëshuar të dielën në mëngjes, Zelensky ka thënë se më shumë se 500 dronë iranian “Shahed” janë lëshuar mbi territorin ukrainas vetëm javën e kaluar. Ai ka kërkuar më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për t’i rrëzuar ato
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia po e përdor Ukrainën si “terren testimi” për armët e saj, teksa vendi është shënjestruar nga rreth 500 dronë javën e kaluar, si dhe nga më shumë se 20 raketa me fuqi të ndryshme.
Megjithëse përdorimi i parë nga Rusia i raketës balistike me rreze të mesme “Oreshnik” të enjten, tërhoqi vëmendjen globale, të dielën Zelensky theksoi shqetësimin për shtimin e sulmeve me dronët e prodhuar nga Irani, të njohur si “Shahed”.
Pesëdhjetë dronë janë rrëzuar vetëm në orët e para të së dielës, nga 73 sa ka lansuar Rusia.
“Ukraina nuk është një terren testimi për armët. Ukraina është një shtet sovran dhe i pavarur. Por Rusia ende vazhdon përpjekjet e saj për të vrarë njerëzit tanë, për të përhapur frikë dhe për të na dobësuar” ka deklaruar Zelensky.
Sipas tij, gjatë javës së kaluar, gjithsej 460 dronë iranianë janë lëshuar nga Rusia në hapësirën ajrore të Ukrainës.
Ukraina pretendon se Rusia ka ngritur dy fabrika për të prodhuar dronë “Shahed 136”. Sasia e prodhimit arrin në "qindra në javë", ka thënë një burim qeveritar në Kiev.
Presidenti Zelensky, po ashtu, ka bërë thirrje për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, për të evituar kërcënimet nga ajri.
“Ukraina ka nevojë për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar në përballimin e kërcënimeve ajrore. Ne jemi duke punuar me partnerët tanë për ta bërë këtë. Është thelbësore të forcojmë mbrojtjen e qiellit tonë”, ka shtuar ai.
Meqë dronët Shahed 136 janë relativisht të lirë, dhjetëra mijëra dollarë për copë, nuk është praktike të përdoren raketat Patriot për t'i rrëzuar ata, pasi një i tillë kushton rreth 4 milionë dollarë.
Rusia po modifikon vazhdimisht dronët në përpjekje për t'i bërë ata më vdekjeprurës. Në fillim të këtij muaji, ushtria e Ukrainës postoi një video të një koke termobarike, e cila krijon një re zjarri prej rreth 2,000C kur shpërthehet, dhe konsiderohet veçanërisht vdekjeprurëse nëse shpërthen brenda ndërtesave.
Ndërkohë, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës ka shfaqur të dielën mbetjet e raketës së re eksperimentale balistike, e cila goditi një fabrikë në qytetin qendror të Ukrainës, Dnipro, të enjten.
Mbetjet e raketës së quajtur Oreshnik, për të cilën Pentagoni tha se bazohet në raketën balistike ndërkontinentale RS-26, janë gjetur dhe ato tashmë janë marrë nga hetuesit.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, i ka thënë BBC-së të dielën se Ukraina mund të lëshojë raketa franceze me rreze të gjatë veprimi në Rusi "në logjikën e vetëmbrojtjes" dhe tregoi se Franca ishte e hapur për t'i bërë një ftesë Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n.
Kjo, megjithatë, është rezistuar nga presidenti në largim Joe Biden dhe nuk mendohet se do të mbështetet nga Donald Trumpi i cili vihet në krye të Shtëpisë së Bardhë në janar.