Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar të mërkurën presidentin amerikan, Joe Biden, për nënshkrimin në ligj të pakos së ndihmës në vlerë prej 95 miliardë dollarë.
Pakoja përfshin ndihmë po ashtu për Izraelin, Tajvanin dhe aleatët e tjerë, raporton AP.
“Pavarësisht se çka thonë, ne jemi duke marrë mbështetjen për të cilën kemi nevojë, për të vazhduar mbrojtjen e jetëve nga sulmet e Rusisë”, ka deklaruar Zelensky, në një videoadresim të natës.
Presidenti demokrat, Joe Biden, ka arritur të mërkurën fundi e një beteje të gjatë e të dhimbshme me republikanët, për të siguruar ndihmën shumë të nevojshme për Ukrainën, dhe ka premtuar se dërgesa e armëve amerikane do të niste rrugën drejt Ukrainës brenda disa orësh.
Mirëpo dëmtime të theksuara i janë bërë administratës së Bidenit, në përpjekjet për të ndihmuar Ukrainën që të zmbrapsë pushtimin rus, gjatë ngërçit të financimit që daton në gusht, kur presidenti demokrat bëri kërkesën e tij të parë urgjente për shpenzimet për ndihmën për Ukrainën.
Bideni miratoi menjëherë dërgimin në Ukrainë të 1 miliard dollarëve ndihmë ushtarake, kësti i parë nga rreth 61 miliardë dollarë të ndara për Ukrainën.
Paketa përfshin aftësitë e mbrojtjes ajrore, runde artilerie, automjete të blinduara dhe armë të tjera për të mbështetur forcat ukrainase teksa presidenti rus, Vladimir Putin ka shënuar fitore pas fitoreje.
Ndërkohë, Ukraina për herë të parë ka filluar përdorimin e raketave balistike me rreze të gjatë të ofruara fshehurazi nga Shtetet e Bashkuara, duke bombarduar një aeroport ushtarak rus në Krime javën e kaluar dhe forcat ruse në një zonë tjetër të pushtuar gjatë natës, konfirmuan zyrtarët amerikanë të mërkurën.
LEXO EDHE: