Botë

Zelensky do të takohet me emisarin amerikan për Ukrainën të enjten

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se pret që të takohet me emisarin amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, të enjten, raporton The Guardian.

“Kemi planifikuar të takohemi me gjeneralin Kellogg nesër, dhe është shumë e rëndësishme për ne që takimi dhe puna jonë me Amerikën në përgjithësi të jenë konstruktive”, ka deklaruar ai, në adresimit e zakonshëm të mbrëmjes, të mërkurën.

Ai ka shtuar se “bashkë me Amerikën dhe Evropën, paqja mund të jetë më e besueshme”, dhe se ky është qëllimi i tyre. “Dhe më e rëndësishmja – kjo duhet të jetë jo vetëm qëllimi ynë, por një qëllim i përbashkët me partnerët tanë”. 

Zelensky këto deklarime i bëri pas shkëmbimeve të njëpasnjëshme që ai i pati me presidentin amerikan, Donald Trump të mërkurën, i cili e quajti atë diktator dhe kërkoi që të mbahen zgjedhje të reja në Ukrainë. 

Komentet e Trumpit në rrjetet sociale ishin kundërpërgjigje e deklaratave të mëhershme që Zelensky i bëri për presidentin amerikan, duke thënë se ai “po jeton në një hapësirë dezinformuese” të krijuar nga Rusia.