Botë

Zelensky do që SHBA-ja e Evropa të përfshihen në bisedimet për paqe

Zelensky

Presidenti ukrainas ka thënë se beson që presidenti amerikan, Donald Trump, mund t’i japë fund luftës, duke shtuar se ai mund ta arrijë këtë vetëm nëse e përfshin edhe Ukrainën në bisedime. “Përndryshe, nuk kryen punë. Sepse Rusia nuk do që lufta të përfundojë, ndërsa Ukraina dëshiron t’i japë fund asaj”, ka deklaruar Zelensky.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën se shpreson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa do të përfshihen në bisedimet e mundshme për t’i dhënë fund luftës së vendit të tij me Rusinë.

Duke folur në një konferencë për media përkrah presidentes së Moldavisë, Maia Sandu, Zelensky ka deklaruar se edhe Ukraina duhet të përfshihet në çfarëdo bisedimesh për përfundimin e luftës, në mënyrë që negociatat të kenë ndikim domethënës.

“Në lidhje me atë se cila do të jetë përbërja e bisedimeve: shpresoj shumë se Ukraina do të jetë atje, dhe Amerika, Evropa dhe rusët”, ka thënë Zelensky.

Më vonë, ai ka sqaruar se ende nuk është vendosur ndonjë kornizë bisedimesh.

“Po, do të doja shumë që Evropa të marrë pjesë, sepse ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian”, ka shtuar Zelensky.

Ai ka thënë tutje se beson që presidenti amerikan, Donald Trump, mund t’i japë fund luftës, duke shtuar se ai mund ta arrijë këtë vetëm nëse e përfshin edhe Ukrainën në bisedime.

“Përndryshe, nuk kryen punë. Sepse Rusia nuk do që lufta të përfundojë, ndërsa Ukraina dëshiron t’i japë fund asaj”, ka shtuar Zelensky.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, Trumpi pati thënë vazhdimisht se do t’i jepte fund shpejt luftës dhe këtë e ka përsëritur edhe pak ditë para se ta merrte detyrën. Tani, ai ka thënë se mund të nevojiten muaj për këtë.

Në ditët e fundit, Trumpi ka bërë komentet më të ashpra deri më sot ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për të cilin shpesh ka folur me admirim.

Më 22 janar, Trumpi, duke iu drejtuar homologut të tij rus me emër, ka paralajmëruar Moskën se do të përballet me tarifa, taksa dhe sanksione të reja “të larta” nëse nuk e ndalë shpejt pushtimin e plotë të Ukrainës.

Ai ka sugjeruar gjithashtu se do të vendoste sanksione shtesë ndaj Rusisë, nëse Putini nuk do të pranonte bisedimet për paqe për t'i dhënë fund luftës.

Të premten, Putini u shpreh se dëshiron të takohet me Trumpin për të biseduar për Ukrainën. Ai e ka përmendur si pengesë për negociata një dekret të vitit 2022 nga Zelensky, i cili ndalon bisedimet me Putinin.

Zelensky ka thënë të shtunën në konferencë se e bëri këtë ndalesë për të mos e lejuar Putinin të formojë kanale të tjera komunikimi me bashkëbisedues në Ukrainë.

Zelensky ka shtuar se Rusia u përpoq vazhdimisht ta bënte një gjë të tillë para se ai ta nënshkruante dekretin.

E duke komentuar këtë “gatishmëri” të Putinit për negocim me Trumpin, Zelensky ka hedhur dyshime. Sipas tij, Putini synon ta manipulojë presidentin e ri amerikan.

Zelensky ka bërë të ditur se ka pranuar raporte nga shërbimet e huaja të inteligjencës për potencialin e ushtrisë ruse dhe gatishmërinë e Putinit për t’i vazhduar luftën dhe manipulimet e liderëve botërorë.

Lufta në Ukrainë filloi në vitin 2014 me pushtimin dhe aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë nga Kremlini dhe u përshkallëzua me pushtimin e plotë të saj nga Rusia në shkurt 2022.