Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka akuzuar Kinën se po ndihmon Rusinë për të prishur një konferencë paqeje të organizuar nga Zvicra për luftën në Ukrainë.
Duke folur në konferencën kryesore të sigurisë të Azisë të dielën, Zelensky ka thënë se Kina po u bën presion vendeve të tjera dhe liderëve të tyre që të mos marrin pjesë në bisedimet e ardhshme, raporton AP.
“Rusia, duke përdorur ndikimin kinez në rajon, duke përdorur edhe diplomatët kinezë, bën gjithçka për të prishur samitin e paqes. Është për të ardhur keq që një vend kaq i madh, i pavarur, i fuqishëm si Kina është një instrument në duart e Putinit”, është shprehur presidenti ukrainas.
Në një fjalim më herët gjatë ditës, Zelensky u kërkoi zyrtarëve të lartë të mbrojtjes të merrnin pjesë në samitin e ardhshëm, duke thënë se ai ishte i zhgënjyer nga mospranimi i disa vendeve për t'u bashkuar.
Zelensky ka thënë po ashtu se Ukraina kishte propozime për ta bërë samitin si bazë për paqen, duke adresuar sigurinë bërthamore, sigurinë ushqimore, lirimin e të burgosurve të luftës dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia.
“Koha po mbaron dhe fëmijët po rriten në tokën e Putinit, ku ata mësohen të urrejnë atdheun e tyre”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, Ukraina është "e gatshme të dëgjojë propozime dhe mendime të ndryshme që na çojnë... drejt përfundimit të luftës dhe një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë".
“Sa më e madhe të jetë pjesëmarrja, aq më shumë gjasa do të ketë që Rusia do të duhet të dëgjojë. Shumica globale mund të sigurojë me përfshirjen e tyre që ajo që është rënë dakord të zbatohet me të vërtetë," ka shtuar ai.
Samiti i Paqes i organizuar nga Zvicra do të mbahet në Luzern nga 15-16 qershor.