Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se vullnetarët e parë për t’u bashkuar në luftën kundër Rusisë kanë arritur në Ukrainë, duke numëruar 16.000 nga ta.
“Ukraina ka filluar të mirëpresë vullnetarët e huaj të cilët po vijnë në shtetin tonë. 16,000 e parë po vinë për ta mbrojtur lirinë dhe jetët tona dhe të të gjithëve. Jam i sigurt se do të jemi të suksesshëm", tha ai në një video të publikuar.
Ai ka thënë se linjat e mbrojtjes të Ukrainës po rezistojnë, por shtoi se bombardimet e qyteteve nga Rusia nuk kanë pushuar që nga mesnata.
Theksoi se ndryshimi në taktikën e Rusisë – për të targetuar zona civilë – tregon se Ukraina ka qenë e suksesshme në rezistencën ndaj planit të Moskës për një fitore të shpejtë përmes sulmeve tokësore.
“Nuk kemi asgjë që të humbim përveç lirisë tonë”, ka thënë Zelensky, duke shtuar Ukraina po furnizohet përditë me armë nga aleatët ndërkombëtarë.
Zelensky ka theksuar se shteti do të rindërtohet dhe se Rusia do të mësojë për dëmshpërblimet, pas ditëve të bombardimeve të qyteteve ukrainase.
“Edhe nëse i shkatërron të gjitha katedralet dhe kishat ukrainase, nuk do ta shkatërrosh besimin tonë, besimin tonë të sinqertë në Ukrainën dhe Zotin, besimin në njerëz”, ka thënë ai.
“Ne do të rindërtojmë çdo shtëpi, çdo rrugë, çdo qytet”.
“Dhe i themi Rusisë – mësoje fjalën ‘dëmshpërblim’ dhe ‘kontribute’. Do të na paguani plotësisht për atë që keni bërë kundër shtetit tonë, kundër çdo ukrainasi”.
"Kemi mbijetuar dy luftëra botërore, tre kriza urie, Holokaustin, Babyn Yar, spastrimin e madh, shpërthimin e Çornobilit, pushtimin e Krimesë dhe luftën në lindje të shtetit tonë. Ata donin të na shkatërronin shumë herë, por nuk mundën", tha ai.